Maqedoni

Sh. F. “Gjergj Kastriot-Skënderbeu” Haraçinë, 54 nxënës prej të hënës do të bojkotojnë mësimin. Prindërit kërkojmë transport për fëmijët. Azam Aki: Të na jepet shkolla e Bërnjancës, fëmijët janë nga territori i komunës së Gazi Babës

04.10.2019 16:19

54 nxënës shqiptarë të fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës janë të detyruar që për çdo ditë të udhëtojnë...

54 nxënës shqiptarë të fshatit Bërnjancë të komunës së Gazi Babës janë të detyruar që për çdo ditë të udhëtojnë në këmbë mbi dy kilometra e gjysmë për të ndjekur mësimin në Shkollën fillore “Skënderbeu” në komunën e Haraçinës.
 
Prindërit thonë se fëmijët e tyre nga klasa e parë deri në klasën e pestë janë të rrezikuar nga qentë endacakë dhe nga rrugëtimi i gjatë që bëjnë fëmijët, sidomos gjatë dimrit. Ata thonë se kanë bërë kërkesë deri te drejtori i Shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, që fëmijëve t’u sigurohet transport, por deri tani nuk është ndërmarrë asgjë.
 
Deri në realizimin e kësaj kërkese fëmijët nuk do të vijojnë mësimin në shkollë, thotë përfaqësuesi i prindërve, Ekrem Saliu, i cili apeloi edhe deri tek komuna dhe Ministria e Arsimit që të merren masa për zgjidhjen e këtij problemi.
 
“Rrezikshmëria për ta është çdo ditë, prej daljes nga shtëpia deri te kthimi i tyre. Pakujdesia e vozitësve gjatë kalimit të rrugës për të shkuar në shkollë nga qentë endacakë që gjenden rrugës e që komuna nuk merr masa dhe nëse udhëton një fëmijë i vogël 2500 metra, nuk ka aftësi psikike dhe fizike që të ndjek mësimin. Fëmijët tanë nga e hëna e tutje nuk do të jenë më në shkollë derisa të gjendet një rrugëdalje për këta fëmijë. Që nga sot e deri në realizimin e kërkesës sonë, fëmijët tanë nuk do të vijojnë mësimin shkollor. Ne kemi bërë kërkesë dy-tre herë në drejtorinë e shkollës, edhe në komunën e Haraçinës, por fatmirësisht nuk kemi marrë asnjë përgjigje as pozitive as negative, kryetarja nuk na ka dhënë përgjigje as me shkrim as gojarisht. Nga ana e drejtorit kemi marrë përgjigje se do të bëhet mirë”,- tha prindi, Ekrem Saliu.
 
Drejtori i Shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Azam Aki, thotë se dëshiron t’u ndihmojë këtyre fëmijëve, por pasi bëhet fjalë për banorë të komunës së Gazi Babës, në koordinim edhe me komunën e Haraçinës, kanë kërkuar që t’u jepet në shfrytëzim objekti i shkollës së Bërnjancës. 
 
“Fakt është se ata ishin me kërkesë, por ne nuk jemi kundër fëmijëve, ne duhet t’u ndihmojmë fëmijëve, por ata janë në territorin e komunë së Gazi Babës, ne si drejtori jemi në bisedime edhe me komunën tonë, kemi bërë kërkesë deri te kryetari i komunës së  Gazi Babës të na e lirojë objektin e shkollës së Bërnjancës, ku nxënës maqedonase nuk ka, ne kemi bërë kërkesë dhe ende presim përgjigje. Nuk e di problemin më herët, pse nuk e kanë kërkuar se për një ditë nuk mund të zgjidhet ky problem, jemi në bashkëpunim me prindër dhe besoj se do ta kryejmë edhe këtë. Jam në bisedime me ata prind dhe me të vërtetë është largësi, jemi në bisedime edhe me komunën e Gazi Babës që ta fitojmë objektin ku është atje shkolla e fshatit Bërnjancë në komunën e Gazi Babës... në qoftë se nuk na lejojnë, do t’u bashkëngjitemi prindërve”,- u shpreh drejtori i Sh. F. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Haraçinë, Azam Aki.
 
Fshati Bërnjancë deri në vitin 2004 ishte pjesë e komunës së Haraçinës, por me një referendum vetëm të banorëve maqedonas, ky fshat, edhe pse i ngjitur me Haraçinën, me ndarjen e re territoriale iu bashkëngjit komunës së Gazi Babës.
 
Por, fëmijët shqiptarë kanë vazhduar të ndjekin mësimin në shkollën e Haraçinës, pasi në shkollën e Bërnjancës është zhvilluar mësim vetëm në gjuhën maqedonase.
 
Ndërsa prindërit u shprehën të vendosur se nuk do t’i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare.      
 
GYLTENE SINANI