Maqedoni

AUV: Vetëm 2% e fermave blegtorale, plotësojnë kushtet për shitjen e qumështit

04.10.2019 16:49

Vetëm 2% e fermave blegtorale, apo 112 nga 5747 fermat vendore, i plotësojnë kriteret higjienike për shitjen e qumështit...

Vetëm 2% e fermave blegtorale, apo 112 nga 5747 fermat vendore, i plotësojnë kriteret higjienike për shitjen e qumështit dhe i përmbushin standardet evropiane, ka deklaruar në brifingun me gazetarët drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Zoran Atanasov.
 
Sipas kategorizimit, i cili është në procedurë e sipër dhe duhet të mbarojë deri në fund të muajit tetor, në kategorinë e dytë bëjnë pjesë 3600 ferma, ndërsa në të tretën 1450.
 
Atanasov ka shtuar se vetëm fermat e klasit të parë mund të shesin qumësht të freskët, ndërsa ato të kategorisë së dytë dhe të tretë duhet ta përpunojnë atë në djathë apo kashkavall.
 
Por, nga kjo agjenci sigurojnë se mungesë të qumështit të freskët nuk pritet, pasi në kategorinë e parë bëjnë pjesë kapacitetet më të mëdha.
 
Kategoria e parë e fermave nënkupton prodhimin e qumështit në përputhje me standardet evropiane, e dyta nënkupton higjienë të pamjaftueshme në trajtimin e qumështit derisa t’i dorëzohet blerësit, ndërsa kategoria e tretë janë ato ferma në të cilat ka edhe kafshë të sëmura dhe nuk kujdesën për  mirëqenien e tyre.
 
Për të tejkaluar këtë situatë, Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit do të propozojë Qeverisë të sigurojë stimulime shtesë për prodhuesit që furnizojnë qumësht të klasit të parë, si dhe të vazhdojnë edukimin e fermerëve si dhe të përshpejtojë procedurën për rregullimin e statusit të tokës së fermave të kategorisë së tretë, që është gjithashtu një problem serioz dhe ndikon në cilësinë e prodhimit.
 
GAZMEND KURTISHI