Maqedoni

Zekiri: VMRO e bllokuar në matricën e destruktivitetit. VMRO-DPMNE: LSDM është në rrugë të drejtë për në opozitë

04.10.2019 17:29

Ristrukturim vetëm në fletë e jo edhe në praktikë. Kështu e vlerëson LSDM ekipin e ri...

Ristrukturim vetëm në fletë e jo edhe në praktikë. Kështu e vlerëson LSDM ekipin e ri të bashkëpunëtorëve strategjikë të cilin e shpalosi kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Sipas partisë në pushtet, VMRO ende është e bllokuar në matricën e destruktivitetit dhe mbrojtjen e krimit. Deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri, tha se VMRO vazhdon të mbetet kundër integrimeve euroatlantike dhe vlerave evropiane.                                                                                                     
 
“A po planifikon lideri i VMRO-DPMNE-së të rindërtojë partinë me Gordana Siljanovskën, e cila publikisht u deklarua kundër Marrëveshjes së Prespës dhe bashkëpunimit me shqiptarët në vend. Me kë të paraqitet VMRO-DPMNE, një është e qartë se kjo udhëheqësi e partisë ka për qëllim të shpëtojë familjen dhe kriminelët në radhët e saj. VMRO-DPMNE me këtë udhëheqësi as që ka vizion e as që dëshiron të ardhme të sigurt për vendin e vet”,- theksoi nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri.
 
Por, sipas VMRO-së, LSDM është në rrugë të drejtë që Maqedoninë ta shtyjë në humnerë. 
 
“Zaev dhe ekipi rreth tij janë në rrugë të drejtë për t’i mbushur kontot e tyre private, derisa qytetarët vuajnë nga uria. LSDM është në rrugë të drejtë të shpërngulë edhe 1.000 njerëz për një ditë në qytete si Dellçeva, Berova, Vinica apo Makedonska Kamenica. LSDM është në rrugë të drejtë ta shkatërrojë bujqësinë. Me LSDM-në në pushtet rendimentet në vend se në treg përfundojnë në plehra. LSDM është në rrugë të drejtë ta shkatërrojë shëndetësinë. LSDM është në rrugë të drejtë ta dëmtojë arsimin. Nxënësit edhe pas një muaji prej se filloi viti mësimor nuk kanë libra. LSDM është në rrugë të drejtë t’i nënçmojë shërbimet e sigurisë. Policët dhe ushtarët mbajnë uniforma të grisura. LSDM është në rrugë të drejtë për në opozitë. Zgjedhje të parakohshme sa më parë. Qytetarët do t’ia tregojnë rrugën LSDM-së”,- thuhet në komunikatën me shkrim të VMRO-së.
 
Ndryshe, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, shpalosi ekipin e ri të bashkëpunëtorëve strategjikë.
 
Në listën e 16 bashkëpunëtorëve strategjikë që shpalosi Mickovski, janë edhe Sashko Kedev, Gordana Siljanovska, Igor Durllovski, Viktor Dukovski dhe të tjerë.
 
ERSAN PAJAZITI