Maqedoni
SHBA-të me tone pozitive për zhvillimet në vend, Pompeo: Mirëpresim luftën kundër korrupsionit. Zaev: Të gatshëm të pranojmë obligimet nga anëtarësimi
04.10.2019 17:44
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri më i madh strategjik i cili përkrah ndërtimin e shtetit ligjor...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri më i madh strategjik i cili përkrah ndërtimin e shtetit ligjor me vlera të larta demokratike dhe integrimin në NATO dhe BE.
Përkrahjen e fuqishme në proces e përsëriti vetë sekretari shtetëror i ShBA-ve, Majk Pompeo, i cili gjatë turit të tij diplomatik vizitoi edhe Maqedoninë e Veriut, ku u takua me kreun më të lartë shtetëror. Uashingtoni çmon zgjidhjen e kontesteve dypalëshe me Bullgarinë dhe Greqinë dhe inkurajon vendin që të vazhdojë luftën me krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.
Përcaktimi i Maqedonisë së Veriut për të rritur buxhetin për Armatën në masën 2% të BPV-së, siguron Uashingtonin se vendi do të bëhet një partner i fuqishëm i NATO-s.
“Jam i bindur se ShBA-të do të ratifikojnë Protokollin për anëtarësim që edhe formalisht të bëheni pjesë e ekipit të NATO-s. Gjithashtu dua t’ju përgëzoj për Marrëveshjen historike të Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë e cila gjatë vitit të kaluar ka shërbyer për përforcimin e lidhjeve ekonomike mes dy popujve, posaçërisht në sferën e energjetikës dhe për stabilitet më të madh në Ballkan dhe në Evropë. Ngjashëm, mirëpresim Marrëveshjen për miqësi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që gjithashtu i shërben frymës së marrëdhënieve të mira mes aleatëve. Si lider i demokracisë botërore, Amerika përkrah shtetet që bëjnë përpjekje të forta për shtet ligjor dhe qeverisje të mirë. Mirëpresim hapat që Qeveria e juaj merr për të luftuar korrupsionin e cila inkurajon llogaridhënien”,- tha sekretari shtetëror i SHBA-ve, Majk Pompeo.
Përmes vizitës së tij, sekretari shtetëror shpreh mirënjohjen e ShBA-ve për pjesëmarrjen e aktive të Maqedonisë së Veriut në misionet në Irak dhe Afganistan.
Ndërkaq, kryeministri, Zoran Zaev, falënderoi ShBA-të për përkrahjen shumëdimensionale në këto 25 vite bashkëpunimi diplomatik. Ai tregoi gatishmërinë e qeverisë së tij dhe vendit për të thelluar bashkëpunim në të gjitha sferat me interes të përbashkët.
“Deri tani, Protokollin për qasjen e Maqedonisë së Veriut në NATO e ratifikuan 22 vende anëtare dhe ne presim me optimizëm anëtarësim të plotë në NATO në një të ardhme të afërt. Dua t’i falënderoj ShBA-të për përkrahjen e paluhatshme dypartiake për anëtarësimin tonë në NATO. Së shpeti presim lajmin e mirë se protokolli do të ratifikohet edhe në ShBA. Në ndërkohë jemi plotësisht të gatshëm që të pranojmë obligimet nga anëtarësimi ynë në NATO. Kemi vullnet të fuqishëm politik që buxheti i Armatës të jetë së paku 2% nga BPV, jo më vonë se viti 2024”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Përveç takimit me kryeministrin dhe disa anëtarë të kabinetit qeveritar, sekretari shtetëror i SHBA-ve, Majk Pompeo, u prit edhe kryetari i Republikës, Stevo Pendarovski.
Vizita e sekretarit shtetëror të SHBA-ve, Majk Pompeo, shënon 25 vjetorin e bashkëpunimit diplomatik mes dy vendeve. Maqedonia e Veriut, edhe pse një vend i vogël aleat i ShBA-ve, sipas Pompeut, në këtë çerek shekull ka zhvilluar aq shumë bashkëpunimin, sa që në Ambasadën amerikane aktualisht ka 61 diplomatë dhe mbi 250 punëtorë lokalë.
Pas qëndrimit në Ohër, Pompeu vazhdoi turin e tij diplomatik në Greqi
SHPËTIM NUREDINI
