Maqedoni
Rasti "Monstra", lexohen transkriptat e bisedave dhe SMS-porositë
04.10.2019 18:02
Seanca gjyqësore për rastin "Monstra" ka vazhduar me leximin e transkriptave...

Seanca gjyqësore për rastin "Monstra" ka vazhduar me leximin e transkriptave nga bisedat telefonike dhe SMS - porositë. Nga bisedat telefonike dëgjoheshin kryesisht bashkëbisedues të emëruar me iniciale rrallë herë me emra.
Personi me iniciale N. N. në bisedë telefonike i rrëfen bashkëbiseduesit se do të takohen personat me iniciale A. A. dhe M. T. për të biseduar rreth rastit dhe për t’i dërguar një porosi Nikollës, që mos t’i shkojë ndërmend për këtë t’u drejtohet shqiptarëve.
Bisedat e radhës kryesisht zhvillohen nga një punonjës i MPB-së i quajtur Zoran Trajkovski, i cili gjatë gjithë kohës tregon se ka paralajmëruar se në 15 ditët e ardhshme mund të ndodhë ndonjë sulm mbi policinë apo mbi persona të pafajshëm.
Ai i tregon bashkëbiseduesit se për këto informacione e ka njoftuar këshilltarin për siguri pranë kryetarit të shtetit dhe persona tjerë zyrtarë por që të njëjtit nuk kanë ndërmarrë asgjë. Sipas Trajkovskit, bëhet fjalë për persona me uniformë, një ish-pjesëtarë policie me iniciale B. B. në bashkëpunim me një grup nga Kosova.
Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufit, transkriptat i vërtetojnë dyshimet e tyre se pas vrasjes në Smillkovcë qëndrojnë shërbimet sekrete dhe se përmes të njëjtave do të detektohen fajtorët e vërtetë të vrasjes.
“Sot dolën punë interesante për ne si avokatë. Dolën informata ndërmjet personave zyrtarë në MPB-së, ky rast është ditur se do të ndodhë edhe atë dy javë para se të ndodhë rasti dhe pjesëtarët e Ministrisë e kanë ditur se do të ndodhë kjo. Kjo e argumenton fjalën tonë se ky është një skenar i shërbimit sekret të MPB-së, ish shërbimit sekret…Është evidente se këta nuk janë fajtorët, ndërsa do të dalin edhe biseda për persona të involvuar direkt”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Avokatja e palës së dëmtuar nuk pajtohet në tërësi me konkluzat e Raufit, por thotë se shumë njerëz janë të involvuar në këtë proces dhe se e kanë ditur se çfarë do të ndodhë. Dikush ka ditur diçka, por atë e kanë fshehur me shkathtësi të madhe, tha Ivanova.
“Unë nuk pajtohem me konkluzionin e tij, pasi që në përgjithësi nuk ishte pikërisht ashtu, edhe ju dëgjuat. Këto biseda tregojnë se diçka ka pasur, se dikush ka ditur diçka dhe ka treguar se diçka po ndodh edhe atë u ka treguar kuadrove kompetentë për të siguruar terrenin. Nëse do të ishte sulm i stacionit policor, siç dëgjuat, apo vend tjetër, megjithatë përgjegjësit për këtë nuk kanë pasur mirëkuptim dhe nuk e kanë marrë seriozisht këtë raportim, i cili është bërë nga personi që është i angazhuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në shtet”,- tha avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.
Seancën e sotme, prokurorja, Fatime Fetai, kërkoi nga Ministria e Drejtësisë të japë detaje rreth ekstradimit të dy të arratisurve në Kosovë, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, me ç’rast u kërkua edhe takim me prindërit e viktimave.
I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Drejtësisë, nga e cila nëpërmjet një kumtese njoftuan se së shpejti do të realizojnë takim me familjarët dhe sqaruan se deri më tani 3 herë është dërguar kërkesë për ekstradim deri tek autoritetet kosovare, duke mos përfshirë urgjencat me kërkesa për prononcim.
Seancat gjyqësore për rastin “Monstra” së fundmi përcillen edhe nga Akademia shqiptaro-amerikane e shkencave nga ShBA-të.
“Për mua ishte më rëndësi që të marr pjesë në një gjyq, në këtë shtet në një seancë ku u ndava mjaft i kënaqur nga mënyra e përgatitjes së lëndës, mënyra e stafit profesional dhe disiplinës dhe rregullit në sallën e gjykatës. Për më shumë të dhëna dhe më tepër, kam lexuar shumë, por nuk dua të manipuloj, unë kam shumë besim te drejtësia që ajo do të dalë në shesh”,- theksoi Skender Kodra nga Akademia shqiptaro-amerikane e shkencave.
Familjarët e palës së dëmtuar reaguan ndaj trupit gjyqësor për, siç thanë, seancat e rralla që po caktohen për këtë rast.
Ata kërkuan efikasitet më të madh dhe një herë e përgjithmonë të zbardhet e vërteta dhe të mbyllet ky rast. Seanca e radhës me dëgjimin e transkriptave dhe SMS-porosive do të vazhdojë më 10 tetor.
FLORIJE BELULI KAMBERI
