Maqedoni

Prindërit e nxënësve të Idrizovës: Fëmijët të mësojnë në Idrizovë

04.10.2019 18:20

Prindërit e nxënësve shqiptarë të Idrizovës kërkojnë që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin në Idrizovë...

Prindërit e nxënësve shqiptarë të Idrizovës kërkojnë që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin në Idrizovë dhe jo në Shkollën Fillore në “Njegosh”, siç ishte kërkesa e tyre fillestare.
 
Kjo, sipas banorëve, është zgjedhje e përkohshme deri në ndërtimin e shkollës së re. Këtë qëndrim ata ia paraqitën kreut të komunës së Gazi Babës, Boris Georgievskit, i cili ishte i mbyllur për mediat. 
 
“Si solucion e kemi objektin ku e mbajtëm mbledhjen, sepse na ofruan “Ognjajcën”, “Kongresin e Manastirit”, Sh. F. “25 Maji”, por nuk pranuam, në “Njegosh” nuk ka vend, e tani e kemi në Idrizovë, u bë zgjidhje e përkohshme”,- deklaroi Rizvan Seferi nga Këshilli i Prindërve. 
 
Nga Këshilli i Prindërve thonë se kryetari i komunës, Boris Georgievski, u ka premtuar sërish se më së voni deri të martën do të fillojë mësimi dhe shkolla do pajiset me inventarin e nevojshëm.
 
“Ai ka kërkuar afat prej 24 apo 48 orëve dhe na ka premtuar se kjo çështje zgjidhet. Ai na ka premtuar 90 për qind se mësimi fillon të hënën ose të martën. Ne e kemi kushtëzuar se pa ato mjete sërish nuk do të fillojnë shkollën nxënësit”,- u shpreh Imer Rexhepi nga Këshilli i Prindërve. 
 
Për lokacionin e objektit të ri ende nuk është diskutuar. Kryetari i komunës, Boris Georgievski, nuk u prononcua pas takimit me Këshillin  e Prindërve. 
 
FUTURA LATIFI