Botë
Vriten tre pjesëtarë të NATO-s në Kabul
16.09.2014 15:51
Tre anëtarë të NATO-s mbetën të vrarë dhe 13 civilë u plagosën nga një sulm vetëvrasës të talebanëve, i cili ndodhi sot në mëngjes në Kabul...

Zyrtarët thonë se shpërthimi ka ndodhur në rrugën kryesore për në aeroport, afër Ambasadës Amerikane, ku një taleban ka mbushur me mjete shpërthyese një automjet me të cilin ka sulmuar një konvoj me ushtarë të huaj.
“Mund të konfirmojmë se tre anëtarë të NATO-s kanë vdekur si pasojë e sulmit në Kabul”- thuhet në deklaratën e NATO-s.
Ndërsa dëshmitarët e rastit thonë se ishte e tmerrshme çdo gjë përreth tyre.
"Unë isha në atë automjet të stërmbushur me njerëz, në momentin kur dola nga automjeti dhe isha duke ecur, ndodhi një shpërthim. I njëjti automjet ku isha unë u shkatërrua. Objektivi i tyre ishte një automjet amerikan. Shumë njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, si dhe i pashë ata duke evakuar të tjerët dhe duke i dërguar në spital”- deklaroi dëshmitari, Ahmad Ajmal.
Tensionet kanë nisur në Afganistan në prag të zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale, që kanë destabilizuar vendin përpara tërheqjes së shumicës së trupave të huaj deri në fund të vitit.
Kryengritësit talebanë, kanë shfrytëzuar pasigurinë dhe kanë nisur sulmet me bomba ndaj zyrtarëve qeveritarë në të gjithë vendin.
Ndryshe, presidenti në largim i Afganistanit, Hamid Karzai, është takuar të hënën me dy kandidatët presidencial, Ashraf Ghani dhe Abdullah Abdullah, me ç’rast ka thënë se kanë arritur progres lidhur me marrëveshjen për ndarjen e pushtetit, e cila mund të nënshkruhet sot.
LEUNORA KALIQI
