Thaçi, bisedë telefonike me Richard Grenell
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Emërimi juaj shton besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike, njofton Presidenca e Kosovës. Presidenti Thaçi i ka thënë ambasadorit Grenell, se emërimi i tij “është konfirmim i përkushtimit personal të presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se do të zhvillojë një bisedë telefonike me ambasadorin Grenell. Por presidenti serb tha se për të është befasues lajmi i emërimit të Richard Grenell, si i dërguar i presidentit amerikan, Trump, për dialogun.
Ndërsa zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, ka dekalruar se Bashkimi Evropian punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor. Reagimi i BE-së, vjen pasi presidenti Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se emërimi i diplomatit Richard Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t'i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t'iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
