Botë
Ratifikohet marrëveshja e asocimit Ukrainë-BE
16.09.2014 16:00
Parlamenti Evropian dhe ai i Ukrainës, e kanë ratifikuar Marrëveshjen për Asocim, me të cilën forcohen lidhjet politike dhe ekonomike të Kievit me Brukselin...

Ratifikimi u bë sot në sesionet e parlamenteve në Strasburg dhe Kiev.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, duke folur para deputetëve të Parlamentit të Ukrainës, tha se kjo marrëveshje është “hapi i parë dhe i rëndësishëm” kah Bashkimi Evropian.
Komisionari i BE-së, Fyle, theksoi se Ukraina meriton të njëjtat mundësi si vendet e bllokut lindor të cilat iu bashkuan BE-së në vitin 2004.
"Ukraina meriton të njëjtat mundësi që u ofrohen edhe vendeve të tjera në Evropën Lindore pas vitit 1989. Ky ishte pikërisht qëllimi i marrëveshjes sonë, asocimit, që është negociuar për më shumë se 5 vjet dhe të cilën do ta ratifikojmë"- deklaroi komisionari i BE-së për zgjerimin, Stefan Fyle.
"Kjo jep mundësi të reja ekonomike në Ukrainë për tu eksportuar në Bashkimin Evropian dhe për të pasur rritje ekonomike. Pra, në qoftë se ne me të vërtetë duan që Ukraina të bëhet pjesë e “shtëpisë evropiane”, ajo që ju do të duhet është mundësia e rritjes ekonomike, vende të reja pune etj”- tha komisionari i BE-së për tregti, Karel De Gucht.
"Rregullat e kësaj marrëveshje nuk janë analizuar dhe nuk janë diskutuar si duhet. Ne duhet të punojmë së bashku edhe me partnerët tanë të tillë si Rusia, për të zhvilluar procesin e drejtë këtu. BE-ja është duke përdorur mjet për të vendosur një hartë rrugore, për të treguar në mënyrë të qartë dhe transparente si mund të funksionojnë marrëdhëniet ekonomike Ukrainë-BE-Rusi”- theksoi Helmut Scholz.
Refuzimi për ta nënshkruar marrëveshjen e tillë, vitin e kaluar, nga ana e presidentit të atëhershëm, Viktor Yanukovich, ka çuar në përmbysjen e tij, pas protestave të gjata në kryeqytetin Kiev.
Pas kësaj, kanë ndodhur zhvillime të ndërlidhura zinxhirore, përfshirë edhe aneksimin e Krimesë në Ukrainë nga ana e Rusisë dhe kryengritjen e armatosur të separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës.
LEUNORA KALIQI
