DMSH: Cikloni “Talija” nuk shkaktoi dëme të mëdha
Gjendja hidrologjike në Maqedoni është e qëndrueshme dhe tani për tani nuk ka rrezik nga përmbytjet, njoftoi sot drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu.....

Shirat e mëdha që i solli cikloni “Talija” ditëve të fundit nuk shkaktuan dëme të mëdha materiale, përveç në Komunën e Çashkës, ku me kërkesën e kryetarit të komunës është dërguar mekanizmi dhe së shpejti pritet sanimi i dëmeve.
“Maksimalisht është ngritur gatishmëria për mobilizim te të gjithë të punësuarit në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe në njësitë rajonale është kryer kontrolli i ekipeve dhe pajisjeve për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe kontroll i mekanizmit ndërtimor në ndërmarrjet me të cilat drejtoria jonë ka marrëveshje”- deklaroi drejtori në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, gjithashtu njoftoi se lartësia e hidro-akumulimit të liqeneve dhe lumenjve është në nivel të duhur, duke shtuar se drejtoria është përgatitur për vërshime eventuale me përmasa të mëdha. Ai u bëri thirrje vetëqeverisjeve lokale t’i ndërmarrin aktivitetet e nevojshme preventive që janë në kompetencat e tyre. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
