Botë
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, Maloku: E vështirë thithja e votës nga qytetarët
05.10.2019 18:38
Thithja e votës së qytetarëve kosovarë më gjashtë tetor vlerësohet të jetë e vështirë...

Thithja e votës së qytetarëve kosovarë më gjashtë tetor vlerësohet të jetë e vështirë, si pasojë e mungesës së platformave konkrete të partive politike në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe zhvillimit ekonomik, vlerëson analisti nga Kosova Albinot Maloku. Ai konsideron se kjo rezulton me mosbesueshmëri të qytetarëve ndaj politikës. Si përparësi në procesin zgjedhor, Maloku shikon garimin të vetme të tre partive më të mëdha PDK, LDK dhe Vetëvendosjes. Të dielën do të maten forcat reale midis tyre.
“Mos të kemi kamuflime brenda subjekteve politike që kanë qenë partner koalicionesh parazgjedhore dhe më pas qytetarët nuk kanë ditur se cila është forca reale e këtyre subjekteve politike. Thithja e votës nga qytetarët në këtë proces zgjedhor nuk do të jetë e lehtë. Lëvizja Vetëvendsoje është e vetmja që në një formë ose tjetër në opinionin vendor konsiderohet e paprovuar në nivel qendror për të marrë qeverinë dhe për të drejtuar vendin, seç ka një të drejtë më të madhe për të folur gjoja se edhe për luftën kundër korrupsionit, nepotizmit por edhe për ofertat sa I përket koalicioneve pas zgjedhore për arsye se dihet pas datës gjashtë tetor do të kemi një partneritet koalicioni për udhëheqjen e qeverisë së vendit”, tha Albinot Maloku, analist.
Prioritet i qeverisë së re, Lepaja: Zhbllokimi i dialogut Kosovë-Serbi
Partia që fiton numrin më të madh të votave në garën elektorale do ta ketë mandatin që ta formojë qeverinë dhe nëse nuk arrin që të formojë qeverinë në dy tentime, atëherë përsëriten zgjedhjet. Prioritet I qeverisë së re sipas analistit Fadil Lepaja duhet të jetë zhbllokimi I procesit me Serbinë që Kosova të bëhet anëtare e strukturave ndërkombëtare.
“Jemi dëshmitarë të problemeve që ka Kosova me anëtarësim në UNESCO, me anëtarësim në Interpol edhe mos të flasim edhe me anëtarësimin final që për çdo shtet është përfundimtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Unë mendoj që pengesat që I vendosin anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të cilët janë rreshtuar me Serbinë në këtë rast mund të tejkalohen vetëm pas një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, midis Kosovës dhe Serbisë", tha Fadil Lepaja, analist.
Për formimin e kuvendit të shtatë të Kosovës, do të garojnë gjithsej 29 subjekte politike të grumbulluara kryesisht në katër koalicione të mëdha të partive politike shqiptare. Partitë e nacionaliteve garojnë në tre koalicione.
MERALE ISMAILI
