Rriten kompetencat e zëvendësministrave

16.09.2014 17:39

Zëvendësministrat tani janë të barabartë me ministrat dhe do të marrin vendime të plotfuqishme në seancat e qeverisë........

Edhe pse normë e rëndësishme që rregullon vendimmarrjen në qeveri, propozim/ligji për plotësimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, u miratua me procedurë të shkurtuar, pa asnjë debat në seancën plenare.

Pas dështimit në përpjekjen e parë, për shkak të mungesës së kuorumit, gjatë përsëritjes së votimit ligji u miratua me 59 vota “për”.

“Meqë nuk ka të paraqitur për fjalë, konstatoj se shqyrtimi i përgjithshëm rreth propozim-ligjit ka përfunduar. Ju ftoj të votojmë”- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski.

Sipas arsyetimit të qeverisë, propozim-ndryshimet kanë për qëllim përcaktimin e qartë të të drejtave dhe përgjegjësive të zëvendësve të ministrave në rast të mungesës së anëtarit të Qeverisë së RM-së, përkatësisht për funksionim më efikas të Qeverisë së RM-së.

“Në rast të pengesës dhe mungesës së anëtarit të qeverisë, në seancë të qeverisë mund të merr pjesë dhe vendime zëvendësi i ministrit, i cili e zëvendëson anëtarin e qeverisë me të gjitha të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e tij dhe ai llogaritet në shumicën e pjesëmarrësve si të jetë prezent anëtari të cilin e zëvendëson”- thuhet në ligjin e ri për qeverinë.   

Më herët, në kuadër të Komisionit për Sistem Politik, deputetja e pavarur në opozitë, Roza Topuzova-Kareva, shfaqi shqetësimin se një ndryshim i tillë mund të keqpërdoret nga  partneri më i madh në qeveri, në rastet kur partneri i dytë për nga madhësia mund të bojkotojë marrjen e një vendimi të caktuar të qeverisë, duke bojkotuar punën e qeverisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)