18 kompani fituese të çmimit për praktika më të mira shoqërore
18 nga gjithsej 38 kompani sa kanë aplikuar, janë fituese të çmimit kombëtar për praktika më të mira shoqërore, përgjegjëse të ndërmarrjeve gjatë vitit 2013....
Trupi Koordinativ për Përgjegjësi Shoqërore të Ndërmarrjeve dhe Konfederata e Bizneseve në Maqedoni, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, sot publikuan emrat e tyre.
Edhe këtë vit, “EVN Maqedoni” është shpërblyer për mbështetjen e zhvillimit profesional të të rinjve me bursa dhe punë praktike në kompaninë e saj, si dhe për ngritjen e vetëdijes te popullata për efikasitetin energjetik.
Çmim për përgjegjësi shoqërore morën edhe Fabrika “Makstil”, “Shparkasse Bank”, “Remedika”, “NLB Tutunska Banka”, “Tikvesh”, “Feni” e të tjerë. Ata shprehen se do të vazhdojnë me kontributin e tyre për përgjegjësi shoqërore.
“Kjo është një kulturë korporative dhe jemi të kënaqur që kjo gjë vlerësohet këtu në Maqedoni. Këto dy çmime, në veçanti ajo për efikasitet energjetik, që u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ishte shumë i suksesshëm dhe jemi shumë të lumtur që i njëjti u shpërblye”- deklaroi kryetari i Këshillit Drejtues i “EVN-Maqedoni”, Verner Henks.
“Këtë vit aplikuam në projektin transparencë dhe udhëheqje etike, të cilin e kemi filluar nga viti 2012-të. Menduam se mjedisit ka nevojë t’i shpjegohet procesi i prodhimit në “Feni” dhe hap pas hapi e zhvilluam projektin”- tha Viktor Trajkov nga “Feni”.
“Padyshim se këtë shpërblim do ta shfrytëzojmë për promovim dhe zhvillimin e mëtejmë edhe të strategjisë sonë në treg”- theksoi Elena Mladenovska-Elenkoviq nga “Tikvesh”.
Ky shembull tregon se koncepti i përgjegjësisë shoqërore nga viti në vit po bëhet pjesë përbërëse e politikës te subjektet afariste në vend sipas shembullit evropian, tha ministri i Ekonomisë.
“Në këtë mënyrë, drejtpërdrejtë përmirësojmë konkurrencën e tyre në ekonominë globale, rrisim vlerën e shtuar të prodhimeve dhe shërbimeve të tyre, përmirësojmë imazhin dhe reputacionin dhe imazhin e ndërmarrjeve, marrëdhëniet me furnitorët, konsumatorët dhe investuesit potencial”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Ky çmim i ndahet tradicionalisht kompanive që kanë dhënë kontribut në shoqëri. Këtë vit, çmimi kombëtar është pjesë e një iniciative të mbështetur nga Komisioni Evropian i quajtur “Përgjegjësia shoqërore për të gjithë”. (Naim Ramadani, TVM2)