Shpejtësia, shkaktare e 1/3 së aksidenteve
Shpeshherë njerëzit mendojnë se nëse vozisin shpejt do të arrijnë më herët në destinacion.........

Të gjithë harrojnë se shpejtësia e pakontrolluar mund të rrezikojë jetën e shoferëve dhe të tjerëve në komunikacion. Përveç kësaj, ka edhe dënime që sillen prej 20-300 euro. Për t’i përkujtuar vozitësit se duhet të bëjnë më shumë kujdes me shpejtësinë, tashmë nëpër rrugë të ndryshme janë vendosur postera të policëve me radarë në dorë, por kujdes. Policët e vërtetë vazhdojnë të patrullojnë të gjitha rrugët.
“Në këtë moment keni kaluar shpejtësinë dhe dënimi është 45 euro, por sot do tu japim vetëm një vërejtje, zvogëloni shpejtësinë, përmbajuni rregullave të komunikacionit, pasi keni me vete familjen, për sigurinë tuaj dhe të tjerëve, rrypi në radhë të parë, po u jap edhe fletushkë që të mësoni rregullat”- tha një polic.
Sektori për Punë të Brendshme-Shkup, Njësia për Siguri në Rrugë, për përmirësimin e sigurisë në komunikacion ka ndërmarrë edhe aktivitetet edukative në shkolla, me qëllim që fëmijët të njihen me rregullat e komunikacionit dhe të ndjehen më të sigurt në rrugë.
Vitin e kaluar, në qytetin e Shkupit 1/3-ta e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e shpejtësisë së madhe. Si rrugë më të rrezikuara ku ndodhin më së shumti aksidente janë: bulevardi ”Partizanski Odredi”, ku kanë ndodhur 94 aksidente, rruga “Boris Trajkovski” me 83 dhe bulevardi “Aleksandri i Madh” me 25 aksidente. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
