Punohet intensivisht në zonat e lira
Zonat Teknologjike Industriale në Maqedoni janë në rritje e sipër, posaçërisht në Zonat e Lira Ekonomike të Tetovës, Kërçovës dhe Strugës, që është duke u punuar intensivisht në ndërtimin e infrastrukturës së brendshme dhe të jashtme......

Kështu thotë zëvendësdrejtori i Zonave Teknologjike Industriale, Hasip Huseini, i cili njofton se tanimë kanë filluar edhe bisedime konkrete për investime në këto zona.
Sipas tij, në Zonën e Tetovës veç më është hedhur gurthemeli i fabrikës së parë, ndërsa pritet që në Zonat e Kërçovës dhe të Strugës kjo të bëhet së shpejti.
“Sa i përket Tetovës, mund të them se aty para disa muajve u hodh gurthemeli i fabrikës së parë italiane për prodhimin e kompozitave, sa i përket Zonës së Kërçovës kisha me thënë se momentalisht janë duke u punuar punët e infrastrukturës së brendshme dhe të jashtme, ndërsa ka edhe një ndërmarrje shumë të fortë për prodhimin e pjesëve rezervë automobilistike amerikane, “KSS”, e cila parasheh 800 deri në 1 mijë punësime, ndërsa ka mundësi që punësimet e para të jenë edhe sivjet. Sa i përket punës së Zonës në Strugë edhe aty kemi dhe mendojmë së shpejti të fillojnë punët në aspektin e tërheqjes së investitorëve, në të cilën zonë është e interesuar kompania gjermane “ODV elektrik””- deklaroi zëvendësdrejtori i Zonave Teknologjike Industriale në Maqedoni, Hasip Huseini.
Sa i përket mjeteve për ndërtimin e infrastrukturës së Zonave të Lira Ekonomike, qeveria ka siguruar mjete për vitin 2014, ndërsa sipas Huseinit, këto mjete gjatë viteve të ardhshme do të rriten.
“Sa i përket mjeteve, ne kemi të siguruara për vitin 2014 përafërsisht 50 milion denarë për Zonën e Tetovës, për Zonën e Kërçovës kemi siguruar 100 milion denarë dhe të Strugës 110 milion denarë. E mirë e kësaj pune është se drejtoria në planin trevjeçar ka planifikuar vazhdimin e punëve në këto zona me mjete të njëjta ose të rritura”- tha Huseini.
Sa i përket kapaciteteve të zonave për punësime, zëvendësdrejtori, Hasip Huseini, thotë kalkulimet e drejtorisë thonë se në Zonën e Tetovës ka kapacitet për punësime prej 5 mijë deri në 7 mijë, në Zonën e Kërçovës është paraparë 2 deri në 3 mijë punësime, kurse në Strugë është paraparë deri në 5 mijë punësime. (Besim Abdullai, TVM2)