Maqedoni

Dimitrov priti Shalenbergun, Austria pro datës për RMV-në dhe Shqipërinë

07.10.2019 16:05

Austria është pro dhënies së datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë...

Kështu deklaroi ministri i jashtëm dhe për integrim i Austrisë, Shalenberg, pas takimit me homologun, Nikolla Dimitrov.
 
Shalenberg potencon se rruga për në BE kërkon shumë angazhim dhe është proces i gjatë, por Shkupi dhe Tirana, sipas tij, kanë plotësuar kushtet për t’i nisur bisedimet për integrim. Shkupi bëri punën e vet, tani radhën e ka Brukseli, përkujton Shalenberg.
 
“Tajmingu i ardhjes sime tani këtu nuk është rastësi. Kjo vizitë sjell sinjalin e përkrahjes dhe solidaritetit me Maqedoninë e Veriut. Seanca e ardhshme është moment i rëndësishëm në BE kur do të duhet të marrim vendim për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mund t'ju siguroj se Austria  ka pozicion shumë të qartë për këtë çështje. Besojmë se vendi juaj meriton të bëjë hapin përpara”,- tha ministri i jashtëm dhe për integrim i Austrisë, Aleksander Shalenberg.
 
Për ministrin Dimitrov RMV ka qenë tejet e përkushtuar në procesin integrues, prandaj meriton datë për bisedime në Samitin e KE-së. 
 
“Biseduam për atë se sa i rëndësishëm është aksioni për ne, se ky Këshill Evropian nuk është i thjeshtë, por Këshill ku duhet përfundimisht të merret vendim. Dhamë gjithçka prej vetes. Zgjodhëm çështje të rënda në periudhën kur në Evropë dhe botë nuk mund të zgjidheshin problemet e  mëdha”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Sa i përket integrimit në pako me Shqipërinë, Dimitrov u shpreh se ky lloj i integrimit është edhe interes i vendit tonë, por nëse KE nuk respekton parimin e sistemit meritor, atëherë BE humb logjikën e kushtëzimit për integrim në BE, thotë Dimitrov.
 
Ministri austriak, Shalenberg, është takuar edhe me krerët e tjerë shtetërorë, të cilët i janë shprehur mirënjohës Austrisë për mbështetjen e saj për eurointegrimin e vendit. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU