Maqedoni
VMRO: Vlerësimi nga Komisioni i Venecias, para themelimit të Inspektoratit të gjuhëve
07.10.2019 16:37
Edhe pse draft versioni final i vlerësimit të Komisionit të Venecias do të duhet të publikohet më 17 tetor....

Edhe pse draft versioni final i vlerësimit të Komisionit të Venecias do të duhet të publikohet më 17 tetor, në mediat e vendin kanë filluar të spekulohet për një draft version i cili ka inkurajuar VMRO-DPMNE-në të kërkojë shtyrjen e themelimit të Inspektoratit që do ta kontrollojë implementimin e Ligjit të gjuhëve, në të cilin janë paraparë edhe dënime për institucionet që nuk e respektojnë ligjin.
“Si parti do të kërkojmë që të largohet nga rendi i ditës pika për Agjencinë për zbatimin e Ligjit të gjuhëve, ku ishin paraparë edhe dënime të cilat janë të pakuptueshme në një kohë kur kemi vlerësim ndërkombëtar, i cili qartë ka thënë se ky ligj nuk është i realizueshëm. Apelojmë deri tek Qeveria që t’i tërheq propozimi ligjet për ndryshime në agjencinë, gjykatës dhe prokurorë, dhe propozim ligjin për Prokurorinë Publike dhe të njëjtat t’i dërgojë deri tek Komisioni i Venecias, kurse pastaj të debatojmë në kuvend, me qëllim që t’i arrijmë standardet europiane që i kërkon Komisioni i Bashkimit Europian”,- tha Antonio Milloshevski nga VMRO-DPMNE.
BDI dhe ASh: Ligji i gjuhëve nuk ka kthim mbrapa
Por, Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, pohon se ende nuk është publikuar vendimi final i këtij komisioni, por dihet se Komisioni i Venecias ka përshëndetur të drejtat e avancuara gjuhësore.
“Komisioni i përshëndet të drejtat e avancuara gjuhësore dhe shpreh shqetësim për çmimin e zbatimit të Ligjit dhe për dënimet, prandaj opinioni favorizues për drejtat e avancuara edhe përtej standardeve vlen edhe për uniformat, edhe për paratë që ishte shqetësimi kryesor i autoriteteve vendore për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias për një mendim. Kur të vijë mendimi final do t’i shqyrtojmë opinionet e ekspertëve dhe do të duhet që ato opinione të vihen në përputhshmëri me çmimin për ndërtimin e një shoqërie e qytetarëve të barabartë”,- tha Artan Grubi nga BDI.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ky ligj nuk mund të kthehet mbrapa.
“E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në të ardhmen vetëm mund të avancohet, duke u rregulluar përdorimi i saj me kushtetutë dhe assesi të ketë kthim mbrapa. I sugjerojmë Komisionit të Venecias që të gjejë modelin të një shteti të Bashkimit Europian, ku 1/3 e popullsisë e flet një gjuhë tjetër dhe ky model do të jetë i pranueshëm për ne si ASh”,- theksoi Arta Toçi nga ASh.
Nga Ministria e Drejtësisë nuk dëshirojnë ta komentojnë mendimin e ekspertëve të Komisionit të Venecias për Ligjin për gjuhët, deri në momentin kur do të bëhet zyrtar versioni final.
“Mendimi i ekspertëve të Venecias është e klasifikuar deri në miratimin e saj kur bëhet zyrtare. Deri në zyrtarizimin nuk do ta komentojmë, ndërsa posa të miratohet do ta fillojmë procesin e implementimit të rekomandimeve që përmbahen në të”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Siç njoftoi “Plusinfo”, duke pretenduar se posedon draft versionin final të vlerësimit të Komisionit të Venecias, ku vlerësohet se: “Shumë dispozita të Ligjit të gjuhëve i tejkalojnë standardet evropiane të definuara veçanërisht në Konventën kornizë për mbrojtje të pakicave kombëtare dhe Kartës evropiane për gjuhë të pakicave dhe rajonale. Kjo në parim është për lëvdatë. Komisioni i Venecias e përshëndet gatishmërinë e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për përmirësimin e gjendjes gjuhësore të bashkësive të pakicave”,- shkruan “Plusinfo”.
FITIM KRYEZIU
