Maqedoni
Marrëveshja e Prespës dhe integrimi, Zhbogar: Ndryshim i madh që pritet të sjellë datën
07.10.2019 16:53
Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i reformave pritet të jenë çelësi që do të hap “dhomën e pritjes”...

Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i reformave pritet të jenë çelësi që do të hap “dhomën e pritjes” ku vendi ishte mbyllur për 14 vite në procesin eurointegrues. Euroambasadori, Samuel Zhbogar, është optimist se vendi do të marrë datën për fillimin e negociatave, së bashku me Shqipërinë.
“Të gjithë presidentët e të gjitha institucioneve në Bruksel, presidenti i Këshillit, presidentët e Komisionit Evropian (ai aktual dhe presidenti i zgjedhur), si dhe presidenti i Parlamentit, të gjithë kanë shprehur përkrahje të fortë për hapjen e negociatave. Kjo na inkurajon që të jemi optimistë për atë që do të ndodh javën tjetër. Dhe kjo po ndodh pas një ndryshimi të madh, për shkak të arritjes së Marrëveshjes së Prespës dhe Traktatit me Bullgarinë, por edhe të gjitha reformat që vendi ka bërë në dy vitet e kaluara”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Dimitrov: Çelësi që na nxjerr nga “dhoma e pritjes”
Sa u përket reformave në rajon, sipas euroambasadorit Zhbogar, gjithmonë mund të behët më shumë dhe duhet bërë më shumë. Ndërkaq, ministri jashtëm, Nikolla Dimitrov, konsideron se Marrëveshja e Prespës ka dëshmuar se edhe çështje kaq të komplikuara mund të zgjidh diplomacia, kur ka vullnet politik. Sipas tij, tani i takon BE-së që të dëshmojë në vepër përcaktimin për integrimin e vendeve të Evropës Jug-Lindore.
“Ne ishim të mbyllur me këtë çështje për rreth 14 vjet dhe 18 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim (MSA). Arritja e Marrëveshjes ishte e rëndësishme edhe për Greqinë, e cila ishte nikoqire e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi i madh për rajonin se ka perspektivë evropiane për të gjithë vendet e Ballkanit. Dhe ishte më rendësi që të shihet se Greqia e luan këtë rol në realitet si proponent i kësaj perspektive evropiane për rajonin, si vend që është gjatë kohë në BE, e para nga rajoni”,- theksoi ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Megjithatë, Dimitrov vlerëson se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës nuk ka përfunduar gjithçka. Ajo duhet të zbatohet me sinqeritet dhe përkushtim dhe të mos lejohet rrënimi i saj përmes lajmeve të rreme të kundërshtarëve të saj, të cilët përpiqen të sajojnë dhe promovojnë anët negative të marrëveshjes.
Këto komente u bënë në panel diskutimin e Shkollës Rajonale për Diplomaci, ku u shqyrtua Marrëveshja e Prespës dhe mësimi i nxjerrë nga negociatat diplomatike si dhe perspektiva ndërkombëtare.
SHPËTIM NUREDINI
