Botë

Zgjedhjet në Kosovë, arrijnë urimet e para për fitoren e LVV-së

07.10.2019 18:41

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë...

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar se me zgjedhjet e 6 tetorit ka fituar Kosova.
 
“Përgëzimet më të sinqerta për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit në këtë proces kaq të rëndësishëm në kohëra vendimtare për Kosovën dhe rajonin. Mbrëmë fitoi Kosova, ndërsa në pritje të rezultateve përfundimtare, uroj të gjithë fituesit e besimit të qytetarëve”,-thekson kreu i integristëve, Ali Ahmeti.
 
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka përcjellë urime për fitoren e Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit.
 
“Shqiptarët në Kosovë u përcaktuan për vlerën themelore të demokracisë, ndryshimin. Urime Vetëvendosje, urime Albin! Erdhi dita të mbash mbi supet e tua peshën e zhvillimit dhe progresit të Kosovës, të kthesh shpresën”,- theksoi kreu i ASH-së, Ziadin Sela. 
 
Urimet e tyre për fituesin e zgjedhjeve në Kosovë i kanë përcjellë edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kreu i Alternativës, Afrim Gashi. 
 
Në urimet nga shteti shqiptar kryeministri, Edi Rama, uron Albin Kurtin për rezultatin më të mirë, duke mos lënë pa përmendur as partitë e tjera.
 
“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmani për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullorë të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, -theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Uruan edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta, dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. 
 
Pa vlerësime nuk ka qëndruar edhe Beogradi zyrtar. Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ka thënë se gjatë një bisede me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin perëndimor, Matthew Palmer, i ishte thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalin fituese në zgjedhje dhe do të krijojnë koalicion.
 
“Nuk është e rastësishme. Amerikanët kanë thënë se tani është çështje pak më e komplikuar sepse për herë të parë do të merren me një parti e cila është e idesë për krijimin e Shqipërisë së Madhe”,- deklaroi Daçiq.
 
Ndërsa ministri i tregtisë në Bosnjë e Hercegovinë, Mirko Sharoviq, ka theksuar se nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës - si dy forcat më të mëdha politike që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovës - pritet që të qetësojnë raportet rajonale.
 
Ai tha se, para së gjithash, Bosnja pret heqjen e tarifës prej 100% ndaj mallrave të saj. 
 
LEUNORA KALIQI