Botë
Misioni i BE-së: Zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike
08.10.2019 12:23
Misioni i BE-së në zgjedhjet e parakohshme e ka vlerësuar pozitivisht procesin e votimit dhe numërimit...

Misioni i BE-së në zgjedhjet e parakohshme e ka vlerësuar pozitivisht procesin e votimit dhe numërimit të zgjedhjeve të parakohshme, por edhe përqindjen e daljes në votim. Kryesuesja e Misionit të BE-së, Viola von Cramon -Taubadel, ka deklaruar se: “Këto zgjedhje ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke i lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në Kosovë”.
Ajo ka veçuar procesin zgjedhor në veri, ku atje Lista Serbe ka pamundësuar garën fer për partitë e tjera. “Ambienti i fushatës në veri u cenua nga frikësimi, duke vënë në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”. “Atje partitë tjera nuk mundeshin të zhvillonin fushatë për shkak të Listës Serbe. Partitë tjera që nuk ishin bashkë me Listën Serbe konsideroheshin armik dhe parti anti-serbe”, ka thënë ajo. “Përveç kësaj keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës rreth financimit të fushatës rezultuan në një fushë lojë të pabarabartë në gjithë Kosovën”.
Andrey Kovatchev shef i delegacionit në Parlamentin Evropian tha se zgjedhjet kanë qenë mirë të menaxhuara. “Gara zgjedhore paraqet një hap të rëndësishëm dhe është drejtë formimit të Qeverisë. Këto zgjedhje kanë qenë mirë të menaxhuara”. “Procesi i zgjedhjeve të serbëve në veri nuk i plotësoi standardet tona. Përveç kësaj ka pasur pretendime se partitë në pushtet kanë ndarë mjete të shumta”. “BE-ja ka vëzhguar edhe ditën e zgjedhjeve dhe patëm kënaqësinë se dita e zgjedhjeve shkoi siç është më së miri”. “Ne kemi vërejtur numrin e vogël të grave ne vendvotime dhe në disa tjera nuk kishte fare përfaqësues të grave ne vendvotime. E gjithë kjo ndodhi ne vendet rurale”, ka thënë Kovatchev.
