Maqedoni
Rritja e pagave në sektorin e arsimit, SAShK: Përqindje më e madhe, me fillim nga janari. MASh: Kërkesat e SAShK-ut do të debatohen në qeveri
08.10.2019 17:14
SASHK-u edhe më tej nuk ka vendim për propozimin e Qeverisë për rritje prej 10 për qind për të punësuarit në sferën e arsimit...

Gjatë kësaj fundjave, pas konsultimit me këshillat rajonal dhe anëtarësinë, pritet përgjigjja definitive, theksoi kreu i saj, Nedellkov.
Sipas tij, SAShK-u kërkon rritje të pagave prej 1 janarit të vitit 2020, e jo siç ka propozuar Qeveria, në prill të vitit 2020, dhe përqindje më e madhe të ndahet nga buxheti për pagat.
“Nuk po preudikoj por vetëm po tregoj qëndrimin që e debatuam dhe në fund anëtarët tanë duhet të vendosin. Mendoj se më lehtë do jetë për të gjithë ne kur do të transmetoj informacionin se rritja e pagave do të bëhet nga 1 janari dhe tani se a do jetë për 10, 12 apo 15 për qind mbetet diskutabile. Por, për imtësi të vogël, që për ne është imtësi, rritja e rrogave për disa muaj më herët mendoj se do t’i lehtësonte punën edhe Qeverisë por edhe anëtarëve tanë",- deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
Numri një i dikasterit të Arsimit premtoi se qëndrimet e kryesisë së SASHK-ut do t’i paraqesë në seancën e sotme të Qeverisë, por, sipas tij, vendimi është marrë në seancën e djeshme të Qeverisë pa kalkulime shtesë.
“Sigurisht se do t’i paraqesim këto qëndrime, sepse vendimi i Qeverisë nuk pati asnjë lloj kalkulimi, në mbledhjen me kryeministrin dhe përfaqësuesit e SASHK-ut, besoj se një vendim i tillë duhet të mirëpritet, të përshëndetet dhe inkurajohen institucionet që punojnë për gjendjen më të mirë të sistemit nacional arsimor”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Ademi rritjen e pagave e cilësoi si rritje historike, sepse, sipas tij, do të kemi rritje të pagave mbi 21 për qind të pagave në sektorin e arsimit.
Ndërkohë, Nedellkov tha se qëndrimi i SASHK-ut do të mësohet në fund të javës dhe se nuk përjashtohet edhe greva si opsion nëse kërkesat e SASHK-ut nuk merren parasysh.
FLUTURA LATIFI
