Botë

Kosovë, LDK, PDP dhe Nisma kërkojnë rinumërim. AAK pranon rezultatin, nuk kërkon rinumërim. Han dhe Mogerini: BE kërkon formimin sa më të shpejtë të qeverisë. Misioni i BE-së: Zgjedhjet ishin të lira dhe demokratike

08.10.2019 17:50

LDK ende nuk i ka humbur shpresat për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve...

LDK ende nuk i ka humbur shpresat për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve pasi si parti e dytë me vetëm një për qind më pak të votave nga partitë e parë Vetëvendosje, ka kërkuar rinumërimin e të gjitha kutive të votimit.
 
Me kërkesë të njëjtë edhe partia e tretë, PDK, por edhe Nisma e Fatmir Limës, e cila nuk ka arritur të kalojë pragun prej 5%. 
 
Tre subjektet në fjalë kërkesën e tyre e mbështesin në një gabim në shtypjen e formularëve ku plotësohen rezultatet. Sipas ankesave në formularë figurojnë vetëm 24 rubrika, ndërsa në garë janë 25 subjekte politike. Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka 72 orë për të vendosur lidhur me ankesat.
 
Me rezultatin është pajtuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, deklaroi se koalicioni AAK-PSD pranon rezultatin dhe nuk kërkon rinumërim të votave.             
                                                                                               
“Ne nuk kërkojmë rinumërim e as përmbysje të rezultatit, pasi është e padrejtë ta demantosh një ditë kaq të mirë zgjedhore dhe një sukses kaq të madh të demokracisë tonë që u vërtetua më 6 tetor”,- tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. 
 
Nga Lëvizja Vetëvendosje, që janë fitues të këtyre zgjedhjeve, kanë thënë se subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi. Qytetarët kanë folur me 6 tetor dhe vullneti i tyre do të jetësohet, thonë nga Vetëvendosje.
 
Ndërkohë, komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, me një deklaratë të përbashkët i kanë cilësuar zgjedhjet në Kosovë si të qeta, ndërsa kanë bërë thirrje që sa më shpejtë të formohet Qeveria e re.
 
“Zgjedhje të qeta u zhvilluan më 6 tetor në Kosovë. BE-ja kërkon formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, në momentin që përfundojnë të gjitha procedurat ligjore. Kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në reformat ekonomike dhe sociale, sundimit të ligjit si dhe dialogut Kosovë-Serbi”, thuhet në deklaratën e përbashkët. 
 
Edhe Misioni i BE-së në zgjedhjet e parakohshme, e ka vlerësuar pozitivisht procesin e votimit dhe numërimit të zgjedhjeve të parakohshme, por edhe përqindjen e daljes së votuesve. 
 
“Këto zgjedhje ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke i lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në Kosovë”,- u shpreh kryesuesja e Misionit të BE-së, Viola Von Cramon-Taubadel.
 
Nga Misioni vëzhgues evropian kanë veçuar procesin zgjedhor në veri të Kosovës, ku thuhet se Lista Serbe ka pamundësuar garën fer për partitë e tjera.
 
Në bazë të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë me 202 mijë e 116 vota  apo 25.54 për qind, e ndjekur nga LDK e cila ka marrë 196 mijë e 359 vota apo 24.81 për qind dhe e treta është PDK, e cila ka fituar 167 mijë e 859 vota apo 21.21 për qind. Fillimin e bisedimeve për qeverinë e re LDK e kushtëzon me përfundimin e plotët të procesit të numërimit, ku përfshihen edhe votat me kusht, votat e diasporës dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
 
GYLTENE SINANI