Maqedoni
Beteja kundër korrupsionit, Komisioni Anti-korrupsion përpiloi strategji nacionale. Ivanovska: Të gjithë kundër korrupsionit. Popovski: Duhet ndryshuar mentaliteti i sistemit. Osmani: Me rëndësi miratimi i Ligjit për prokurori
08.10.2019 18:09
Komisioni Anti-korrupsion ftoi të gjitha institucionet dhe qytetarët të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit...

Drejtoresha e Komisionit për Anti-korrupsion, Biljana Ivanovska, me nisjen e përpilimit të strategjisë nacionale kundër korrupsionit, tha se përgjegjësia në këtë betejë nuk duhet të bie vetëm ndaj institucionit që drejton ajo, por ndaj të gjithëve në shtet.
“Jemi dëshmitarë të një numri të madh të ligjeve të cilat nuk sigurojnë mbrojtje adekuate të interesit publik. Gjithashtu jemi dëshmitarë se ekzistojnë normativa ligjore të cilat parashikojnë zgjidhje për mbrojtjen e qytetarëve, por ndodh që ata që duhet t’i zbatojnë të kërkojnë forma se si mos t’i zbatojnë, sërish për të kënaqur interesat e grupeve të caktuara”,- tha drejtoresha e Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska.
Sipas ministrit për transparencë dhe llogaridhënie, Robert Popovskit, me vendosjen e instrumentit qeveritar për llogaridhënie, përbërja aktuale shpenzon katërfish më pak se qeveria e kaluar. Për luftimin e korrupsionit, sipas tij, nevojitet ndryshim i mentalitet brenda sistemit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për vullnetin e funksionarëve, problem i madh vërehet tek administrata e cila nuk është e mësuar të japë përgjigje dhe të komunikojë me ata që parashtrojnë pyetje. Thjesht nëse këtë mentalitet nuk e ndryshojmë, do të kemi problem. Ju kushedi se sa keni vullnet, por nëse brenda u bllokon sistemi, kjo krijon probleme të mëdha”,- tha ministri për transparencë dhe llogaridhënie, Robert Popovski.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, përshëndeti angazhimin e Anti-korrupsionit, ndërkaq ftoi partitë të miratojnë Ligjin për prokurori.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është i rëndësisë së veçantë në këtë drejtim dhe mua më jep argumentet e mjaftueshme për t’i bindur vendet anëtare se ne po bëjmë luftë serioze kundër korrupsionit, por mendoj që miratimi i Ligjit për prokurori që do të etablojë një prokurori të veçantë vetëm për korrupsionin e nivelit të lartë, që është një formë edhe e asaj që ne themi veting për të gjithë mbajtësit e zyrave publike, do të jetë një garantues shtesë për shtetin ligjor”,- tha zëvendëskryeministri për çështjet europiane, Bujar Osmani.
Edhe kryparlamentari, Talat Xhaferi, u shpreh i hapur për bashkëpunim në përpilimin e strategjisë me moton “Me mendje, në bum kundër korrupsionit”.
MERAL ISMAILI
