Ekspozitë në Shkup e Blerta Surroit
Mozaikë të punuar me qeramikë ishin këto vepra artistike nga Blerta Surroi, e cila mbrëmë bëri edhe hapjen e ekspozitës në Qendrën Informative Kulturore në Shkup.....

Blerta Surroi, një artiste shumë e suksesshme si në fushën e pikturimit ashtu edhe në aktrim, mbrëmë i befasoi të gjithë të pranishmit në sallë. Në punimet e saj, ajo ka ofruar pllakat e qeramikës mbi të cilat ka shtresuar fjalorin e saj artistik, vepra shumë domethënëse, të cilat bartin në vetvete kumtin se arti rrotullohet rreth boshtit të pamundësisë që njëherë e përgjithmonë të përcaktohet figura e vetme që do të shpjegonte kuptimin e jetës.
“Po ndjehem shumë mirë që mu dha mundësia tu prezantoj punimet e mia, ato të qeramikës, artdashësve të Maqedonisë. Këto vepra arti janë të punuara gjatë dy viteve, gjatë dy verave sa isha shtatzënë me dy fëmijët e mi, e ndava mendjen të punoj, të merrem me diçka tjetër, fillova artin e qeramikës, u inspirova fillimisht nga kalendari i Majave, pastaj nga bregdeti shqiptar, ku unë atje e kaloj pothuajse gjysmën e vitit dhe u inspirova nga gjithçka që na rrethon”- u shpreh Blerta Surroi.
Hapjen e ekspozitës e beri publicisti, Kim Mehmeti, i cili i vlerësoi lartë punimet nga qeramika.
“Kur t’i shohësh punimet e Blertës, e sheh se e shpjegon më së miri atë se çdo simbol e merr kuptimin e saj kur dini ta vendosni atë ashtu siç duhet dhe ku duhet. Mendoj se këtu Blerta ka treguar mjeshtërinë e saj, ajo që unë e pranoj që ndonjëherë e kanë vetëm femrat artiste”- tha publicisti, Kim Mehmeti.
Të gjithë ata të cilët kanë dëshirë t’i shohin këto punime interesante, e kanë mundësinë deri më 18 shtator kur dhe bëhet mbyllja e ekspozitës. (Valide Limani, TVM2)
