Maqedoni

Komisioni Parlamentar kërkon sqarim nga PP: Pse ASN ka vazhduar disa përgjime të DSK-së?!

08.10.2019 18:28

Komisionit për Mbikëqyrje mbi Zbatimin e Masave për Ndjekjen e Komunikimeve...

Komisionit për Mbikëqyrje mbi Zbatimin e Masave për Ndjekjen e Komunikimeve, miratoi Raportin për mbikëqyrjen e realizuar në Agjencinë për Siguri Nacionale.
 
Në konkluzat e raportit, Komisioni kërkon qëndrim të Prokurorisë Publike nëse Agjencia për Siguri Kombëtare ka vepruar konform Ligjit kur ka vendosur që ta vazhdojë zbatimin e një pjese të urdhëresave për përgjim, të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
 
Komisioni dhe kreu i saj, as vetë nuk e dinë nëse ka shkelje ligjore ose kjo është bërë me kërkesë të re, prandaj kërkojnë informacion nga Prokuroria.
 
“Komisioni nuk paragjykon se ka procedim të jashtëligjshëm. Ia lëmë Prokurorisë Publike që të nxjerr konkluzion nëse me atë që, disa urdhëresa janë ndërprerë, me përfundimin e funksionimit të DSK-së, dhe disa të tjera jo, pra kanë vazhduar në periudhën e Agjencisë për Siguri Nacionale, pasi ne konsideronim se me shuarjen e DSK-së duhet të ndërpriten të gjitha dhe urdhëresa të reja të vazhdohen lëndët e njëjta”,- tha kryetari i Komisionit për MZMNK, Emil Dimitriev.
 
Komisioni ka verifikuar konstatimet e veta me një inspektim në Agjencinë Teknike Operative, por pa qasje në urdhëresa.
 
Veç kësaj Komisioni ka shqyrtuar edhe problemin që ka shtruar Agjencia Teknike Operative, e cila është vendosur, me qira, në ndërtesën e Telekomit, ku vetë shteti është aksionar. Agjencia Teknike Operative kërkon zgjidhje të përhershme të problemit me hapësirat e punës dhe kushtet për punë, pasi aty ku janë tani, si qiraxhi, nuk mund të bëjnë asnjë investim.
 
Për këtë problem, Komisioni ka vendosur të informojë Kuvendin, si themelues të ATO-s dhe Qeverinë, e cila sipas Dimitrievit është e detyruar që të gjejë zgjidhje të përhershme.
 
Shuarja e DSK-së dhe Themelimi i Agjencisë për Siguri Nacionale dhe Agjencisë Teknike Operative ishin pjesë e reformave, që lindën si nevojë pas skandalit me përgjimet e paligjshme. 
 
SHPËTIM NUREDINI