Maqedoni

Investim në arsimin parashkollor, në 5 komuna do të ndërtohen çerdhe për fëmijë

08.10.2019 18:49

Me investim real më shumë mund t’i ndihmojmë fëmijët, me vite nuk janë ndarë mjete për ndërtim të çerdheve...

Me investim real më shumë mund t’i ndihmojmë fëmijët, me vite nuk janë ndarë mjete për ndërtim të çerdheve në vendin tonë, tha ministrja, Mila Carovska.
 
Ajo potencon se qëllimi i qeverisë është që 50 për qind e numrit të përgjithshëm të fëmijëve në vend të regjistrohen në arsimin parashkollor. 280 milion euro do të kushtojë projekti i cili është nënshkruar me 5 komuna të vendit për ndërtim të çerdheve për fëmijë.
 
“Ata fëmijë që janë të kyçur në arsimin parashkollor tregojnë dhe rezultate më të mira në shkollimin e mëtutjeshëm, por dhe si qytetar do të jenë më të përgjegjshëm dhe më produktiv. Vazhdojmë si ministri që të investojmë në arsimin parashkollor, kemi në listë dhe komuna të tjera që janë të planifikuara për të ndërtuar çerdhe dhe se vitin e ardhshëm do të ketë dhe shpallje të re”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
 
“Komuna e Bogovinës nuk ka pasur çerdhe ne kemi funksionuar me një filial të Çerdhes “Mladost” së Tetovës, ku ka funksionuar me një  kapacitet shumë të vogël. Ky projekt është shumë i mirëpritur, pasi që ne jemi komunë me 30 mijë qytetarë”,- tha kryetari i komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili.
 
Projekti për arsimin parashkollor është projekt i realizuar me mjete të qeverisë i ndihmuar dhe nga Banka Botërore.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI