Botë

Turqia sulmon kurdët në SIRI, SHBA-të tërheqin forcat e saj nga ky rajon

08.10.2019 19:40

Shpallja e ofensivës ushtarake nga Turqia në veri të Sirisë bëri që SHBA-të t’i tërheqin forcat e saj nga ky rajon...

Pas bisedës telefonike të realizuar me presidentin turk Erdogan, Trump tha se forcat amerikane për një kohë të gjatë kanë qëndruar në atë zonë dhe së bashku me forcat kurde kanë luftuar Shtetin Islamik, ndërsa veprimi i shpejtë i Turqisë mund të jetë kërcënim për ringjalljen e ISIS-it në këtë zonë.
 
“Ne flasim për 50 ushtarë të cilët ishin në atë rajon dhe ata tani janë shpërngulur,por do të shohim me respekt shumë gjëra teksa ndryshojnë. Ne i kemi thënë Turqisë, unë kam biseduar me presidentin e Turqisë Erdogan dhe i thashë se ata duhet ti trajtojë mirë duhet të kesh kujdes me ISIS-in. Mos harroni, ne e kemi mposhtur kryesisht këtë grup. E kemi mundur 100%”,- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
 
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje të gjitha palëve në veri-lindje të Sirisë që të tregojnë përmbajtje maksimale, tha zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric
 
"Sekretari i Përgjithshëm thekson gjithashtu se infrastruktura dhe civilët duhet të mbrohen në çdo moment dhe se qasja e pandikuar dhe e sigurt humanitare ndaj civilëve duhet të garantohet",- theksoi zëdhënësi i sekretarit i përgjithshëm të KB-së, Stephane Dujarric.
 
SHBA-të dhe Turqia kanë qenë në bisedime për krijimin e një zone të sigurisë në verilindje të Sirisë e cila do të shërbente për kthimin e mbi 3 milionë refugjatëve sirianë që ndodhën në Turqi. Ankaraja ka paralajmëruar vendet perëndimore se do të hapë kufijtë e saj,ndërsa numri i refugjatëve që kanë kaluar nga territori turk në Greqi kohët e fundit është rritur. 
 
Ndryshe, në verilindje të Sirisë janë kurdët e njohur si grupi YPG, të cilët ishin aleatët më të fuqishëm të SHBA-së në luftën kundër Shtetit Islamik. Nga ana tjetër Turqia i konsideron ata si terroristë, dhe dëshiron t’i largojë nga kufiri i saj. 
 
LEUNORA KALIQI