GOSTIVAR

U renovua SH. F. “Ismail Qemali” në Gostivar

16.09.2014 18:16

Gjatë tre muajve të kaluar, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Gostivar janë zhvilluar disa investime të brendshme dhe të jashtme, të cilat u promovuan sot gjatë vizitës së kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, në këtë shkollë.......

Me këtë rast, kryetari Bejta njoftoi se me kontribut të Komunës së Gostivarit, donatorëve të ndryshëm, si dhe stafit pedagogjik të kësaj shkolle, brenda kësaj periudhe janë realizuar tre projekte të rëndësishme, siç është krijimi i kabinetit të informatikës të pajisur me 32 kompjuterë dhe të gjitha elementet tjera për një funksionim normal, fasadimi i jashtëm i objektit shkollor, si dhe kyçja e nxehjes qendrore në sallën e re sportive të kësaj shkolle.

Me rastin e vizitës së tij në këtë shkollë, kryetari i Gostivarit falënderoi donatorët dhe stafin e mësimdhënësve për përkushtimin e treguar ndaj përmirësimit të kushteve për nxënësit e kësaj shkolle.

Ai tha se shkolla “Ismail Qemali” po bëhet shembull i vërtetë për nga mënyra e organizimit për të gjitha shkollat e tjera. Edhe drejtori i shkollës, Bejtullah Zaimi, falënderoi të gjithë ata që në një mënyrë dhanë kontribut në realizimin e këtyre projekteve. (Lulzim Haziri, TVM2)