SHQIPËRI

Reagimet pas lirimit të Fullanit

16.09.2014 18:21

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka lënë qelinë, duke qëndruar në arrest shtëpie......

Vendimi i marrë gjatë pasdites së djeshme është pritur me mjaft polemika në Shqipëri, duke e cilësuar një vendim të tillë si minë ndaj drejtësisë shqiptare. Ndaj këtyre reagimeve është shprehur sot edhe kryeministri, Edi Rama, i cili la të kuptojë se nuk komenton një vendim të drejtësisë shqiptare.

Duke iu referuar komentuesve të revoltuar nga vendimi i gjykatës, që sipas tij, i kanë lëshuar në faqen e “Facebook”-ut, Rama sqaron se ka ikur koha kur qeveria ndërhynte në vendimet e gjykatave.

“Unë s’jam as prokuror e as gjykatës. As s’jam zotuar apo kam menduar ndonjëherë se mund të bëhem kryeprokuror apo kryegjykatës, duke u bërë kryeministër”- shkruan Rama.

Ky është reagimi i parë zyrtar i kryeministrit pas lirimit të guvernatorit Fullani nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa më herët, kryeministri ka mbledhur grupin parlamentar socialist, duke dalë me një vendim të përbashkët që të enjten në parlament të votojnë “pro” shkarkimit të Fullanit nga funksioni i guvernatorit. Gjithashtu në mbledhje u vendos që të shkarkohet edhe kryeinspektorja, Elivar Golemi.

Për këtë të fundit, e cila ka kryer funksionin e inspektores së përgjithshme të Bankës së Shqipërisë, janë zhvilluar protesta në Shkodër. Një grup prej 30 vajzash dhe gra në Shkodër kanë protestuar për lirimin e Elivar Golemit dhe trajtimin e saj në mënyrë të barabartë me personat e tjerë të akuzuar për shpërdorimin e detyrës, si shkak i skandalit të vjedhjes së 713 lekëve. Golemi u la dje në burg dhe nuk u lirua siç ndodhi me Fullanin.

Reagimi më i ashpër ka qenë ai i deputetit socialist, Erjon Braçes, gjatë ditës së djeshme, i cili e quajti vendimin e Gjykatës së Apelit si një turp të drejtësisë shqiptare. (Luljeta Ndoka, TVM2)