Botë
Grenell në Prishtinë, i dërguari i Trumpit takon liderët e Kosovës
09.10.2019 17:59
Tri ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, në Kosovë ka arritur për vizitë Richard Grenell...

Tri ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, në Kosovë ka arritur për vizitë Richard Grenell, përfaqësues special i presidentit amerikan, Donald Trump, për të diskutuar rreth dialogut Kosovë - Serbi. Ai fillimisht ka takuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por deklarata për mediat pas takimit nuk kishte.
Përmes një kumtese kabineti presidencial njoftoi se në takim u tha që Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit. Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit, ndërsa ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.
Grenell ka takuar edhe fituesin e zgjedhjeve parlamentare, pretendentin për kryeministër Albin Kurti dhe liderët e partive tjera në Kosovë, të cilëve po ashtu u ka shpalosur qëndrimin amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Përveç emisarit të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Kosovën pritet ta vizitojë edhe përfaqësuesi special për Ballkanin dhe për dialogun të cilin e kishte emëruar sekretari amerikan Mike Pompeo, Matthew Palmer.
GYLTENE SINANI
