Miku i Vokrrit kandidat për president të FIFA-s

16.09.2014 18:55

Jerome Champagne është mik i ngushtë i kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri dhe ka merita të mëdha për kontaktet zyrtare që i vuri FFK-ja me FIFA-n……..

Ish drejtori i zyrës së marrëdhënieve me jashtë në FIFA, Jerome Champagne, që njëherësh është edhe mik i kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri dhe në përgjithësi i Kosovës, ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet e kreut të institucionit më të lartë të futbollit botëror.

Në faqen e tij të fushatës, Champagne informon 209 federatat e anëtarësuara në FIFA për kandidaturën e tij.

Ish-diplomati francez e nisi fushatën më herët në muajin janar me një turne në Londër, ku u shpreh se beteja me Blatter do të ishte shumë e vështirë. “Ka qenë dëshira ime më e sinqertë për të prezantuar kandidaturën dhe dëshiroj gjithashtu që gjatë fushatës të zhvillohet një debat i sinqertë dhe transparent”, ka shkruar Champagne në faqen e internetit.

Sepp Blatter ndodhet në krye të FIFA-s që prej vitit 1998 dhe sipas të gjitha gjasave, ai do të kërkojë një mandat të katërt javën e ardhshme në Cyrih gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv.

Gjithsesi, Champange nuk ka zgjedhur rrugën e kritikave publike ndaj ish-shefit të tij, duke u mbështetur më shumë në termat teknikë të fushatës që do të ndjekë si p.sh. çështja e polarizimit ekonomik të futbollit dhe balancimi i financave. Ai kërkon që FIFA të jetë një institucion më modern në menaxhim me ish lojtarë dhe klube që duhet të kenë fjalën e tyre në këtë institucion.