Maqedoni

Hetimet për rastin "Zhvatja", Remenski jep dëshmi në prokurori

10.10.2019 11:26

Hetimet për rastin “Zhvatja”, tashmë janë zgjeruar edhe me 5 të dyshuar të tjerë....

Hetimet për rastin “Zhvatja”, tashmë janë zgjeruar edhe me 5 të dyshuar të tjerë, një prej tyre funksionar i lartë. Ata dyshohen për veprën penale “mashtrim” dhe “larje parash”.
 
Hetimi i ri është hapur kundër Jasna Mandiq, Bojan Jovanovskit, babait të tij, Mile Jovanovski, dhe nënkryetares së Kuvendit, Frosina Remenski. Nënkryetarja e kuvendit ka shkuar mëngjesin e sotëm në Prokurori dhe pas një ore marrje në pyetje tha se nuk ndjehet fajtor për një hetim të zgjeruar në rastin “Zhvatja”, në të cilin dyshohej se me autoritetin e saj kishte lënë përshtypjen se pas projekteve që i ofron OJQ-ja e Jovanovskit, qëndron qeveria. Remenski tha se do të bashkëpunojë me Prokurorinë për të zbardhur plotësisht rastin, por nuk ka ndërmend të japë dorëheqje nga funksionet derisa të dëshmohet faji i saj. Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsionit për Remenski kërkon masa paraprake, nëse kjo kërkesë do të pranohet, Gjykata Penale do ta informojë më vonë gjatë ditës. Mbrëmë është caktuar masa paraburgim shtëpiak për Jasna Mandiqin, zëvendëskryetaren e Lidhjes Ndërkombëtare të drejtuar nga Bojan Jovanovski, të akuzuarit e parë në rastin “Zhvatja”. Ajo dyshohet për keqpërdorim përmes xhirollogarisë së Lidhjes. Të dyshuarit e tjerë e kanë ndihmuar. Boki 13 ka bërë vepër të vazhduar penale – mashtrim dhe larje parash.
 
Të tjerët dyshohen si ndihmës në veprën penale – mashtrim. Tre prej tyre dyshohen se e kanë ndihmuar edhe gjatë larjes së parave edhe në raste të tjera të veprës së dënueshme. Ndaj tyre është vendosur masë kujdesi, marrje e pasaportës dhe paraqitje e detyrueshme në gjykatë.