Maqedoni

Rasti "Monstra", vazhdon leximi i transkriptave dhe sms porosive

10.10.2019 14:43

Ka vazhduar leximi i transkriptave telefonike dhe sms porosive në rastin “Monstra”....

Bisedat e zhvilluara kryesisht ishin nga persona me iniciale të panjohura për opinionin, por edhe së fundmi biseda nga të akuzuarit, Alil Demiri dhe Haki Aziri, teksa zhvillonin biseda private me familjarë të tyre. Nga transkriptat telefonike dëgjohet edhe një person, veturës së të cilit i kanë takuar tabelat e regjistrimit të Opel Omegës e dyshuar që të akuzuarit të kenë përdorur në këtë rast.
 
I lartpërmenduri edhe pse në atë periudhë nuk ka qenë në Maqedoni në hyrje të kufirit është arrestuar nga policia, pas lirimit të tij ai sqaron tmerrin e përjetuar dhe tentimin për ta montuar atë për këtë rast. Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thotë se është e qartë se Prokuroria e ka pasur gabim kur ka vendosur të akuzojë këta persona që, sipas tij, çdo ditë e më tepër po vërtetohet pafajësia e tyre.
 
 “Sipas numrave të telefonave, i dimë edhe personat se kush janë në këto biseda dhe si po zhvillohen seancat, është shumë më e qartë se këto nuk janë vepruesit e këtij delikti. Në çdo seancë dalin materiale që është tjetërkush. Është punë e prokurorisë që të detektojë telefonata të personave që mendoj se edhe prokuroria i di se kush janë ata, sipas numrave të telefonave ata bisedojnë për vet krimin. Puna e prokurorisë është që të hetohen se kush janë vepruesit e kësaj lënde”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Për këtë rast janë parashtruar gjithsej 133 mijë dëshmi materiale, ndërsa për momentin janë 650 ato që prokuroria i ka ndarë si të rëndësishme për zbardhjen e rastit. Të drejtën për përfshirjen e transkriptave dhe SMS plotësuese në fjalë e ka dhe pala mbrojtëse, pasi të kryejë shqyrtimin e plotë mbi këto dëshmi. Seanca e radhës me vazhdimin e leximit të transkriptave telefonike dhe SMS porosive do të vazhdojë më 28 tetor. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI