Botë

Kurti dhe Osmani: U pajtuam për bashkëqeverisje VV-LDK

10.10.2019 16:12

Jemi pajtuar që Vetëvendosje dhe LDK të bashkëqeverisin....

Kështu deklaruan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani pas takimit të parë mes përfaqësuesve të dy partive, ku u diskutua për formimin e qeverisë së re të Kosovës. 
 
“E uruam njëri-tjetrin për gjithçka dhe besoj që do të na shkojë mbarë e mirë, sepse jemi pajtuar se do të qeverisim bashkë”,- tha Albin Kurti nga Vetëvendosje.
 
“Të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve të Kosovës”,- theksoi Vjosa Osmani nga LDK.
 
Njëherit Kurti tha se si si kryeministër i ardhshëm i Kosovës nuk do të vrapojmë te Lista Serbe për t’i përfshirë në qeveri.
 
“Obligim kushtetues është që të kemi një ministër nga komuniteti serb, nëse kemi maksimalisht 12 ministri, ne do ta respektojmë Kushtetutën e Kosovës, por ne nuk do të vrapojmë te Lista Serbe, pa takuar serbët jashtë Listës Serbe që kanë garuar e të cilëve duket se edhe një herë iu bë padrejtësi me parregullsitë e procesit zgjedhor dhe shkeljet e shumta që i kanë konstatuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Pra, nuk do të bëjmë hapin e tretë apo të katërt pa e bërë hapin e parë me serbët që e pranojnë republikën dhe shtypen nga Beogradi”,- deklaroi Albin Kurti nga Vetëvendosje.
 
Kurti dhe Osmani bënë të ditur se do të reduktohet numri i ministrave dhe zëvendësministrave, ndërsa 30% e kabinetit të ri qeveritar do të përbëhet nga femrat. Për emra konkretë u tha se nuk është diskutuar, por Kurti ka shprehur gatishmëri që si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, Vjosa Osmanit t’ia ofrojë postin e ministres së jashtme, apo kryeparlamentares. Për t’i definuar detajet do të krijohen grupe punuese, ndërsa marrëveshja finale do të arrihet, pasi të jenë numëruar të gjitha votat, përfshirë votat e diasporës dhe ato me kusht.  
 
GYLTENE SINANI