Maqedoni

Rasti "Zhvatja", Prokuroria ngre 3 aktakuzat e para

10.10.2019 16:33

Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur kallëzime...

Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur kallëzime penale kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevskit-Kiçeec, të dyshuar në rastin “Zhavtja”. Ata dyshohen për veprën penale “mashtrim” dhe “larje parash”. 
 
“I akuzuari i parë në periudhën prej nëntorit të vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, duke e përdoruar ndikimin e tij ndaj të dyshuarit të dytë - prokuror publik, kishte ndikuar që të kryhet veprim zyrtar i cili nuk guxonte të kryhej. Ai, duke përdoruar marrëdhëniet miqësore paraprake, kishte ndikuar ndaj të dyshuarës së dytë, gjatë zbatimit të procedurës hetuese në lëndën e quajtur “Perandoria”, që ta lehtësojë pozitën e dëshmitarit i cili në këtë lëndë është një nga të dyshuarit dhe të cilit me propozim të prokurorit publik i ishte përcaktuar  masa e paraburgimit. I dyshuari i tretë ka kontribuuar për kryerjen e veprës penale, duke u marrë vesh për takime të vazhdueshme të të akuzuarit të parë me bashkëshorten e dëshmitarit, ndërsa më vonë edhe me dëshmitarin, duke i bindur për ndikimin e tyre ndaj prokurorit publik”,- sqaron Prokuroria Publike. 
 
Hetimet e reja, Remenski: Nuk ndjehem me faj
 
Ndërkohë Gjykata ka ftuar edhe të dyshuarit e rinj në hetimet e reja që po zhvillohen ndaj OJQ-së “Lidhja Ndërkombëtare”. Deputetja, Frosina Remenski, pas një ore tek gjykatësja e procedurës paraprake për rastin “Zhvatja”, ka deklaruar se nuk ndjehet fajtore dhe se do të bashkëpunojë me prokurorinë që të zbardhet tërësisht rasti. Prokuroria dyshon se ajo me autoritetin e saj ka lënë përshtypje se pas projekteve të “Lidhjes Ndërkombëtare” qëndron pushteti ekzekutiv dhe në këtë mënyrë ka arritur të marrë para nga kompanitë e mëdha në llogari të kësaj organizate joqeveritare.               
“Nuk ndjej faj. Prokuroria nuk kishte dëshmi tjetër para gjykatës në pjesën e argumenteve. Unë do të pres që Prokuroria të dëshmojë për atë që më ngarkon dhe gjithsesi këtu jam për të bashkëpunuar për të gjitha çështjet edhe ndaj organeve edhe ndaj jush gazetarëve”,- tha deputetja i LSDM-së, Frosina Remenski. 
 
Ruskoska: Po hetojmë personat e dyshuar
 
Prokurorja, Villma Ruskoska, pret që të rrjedhin hetimet, teksa nuk shpalos nëse ka persona të tjerë të involvuar.
 
“Tani kemi dhënë urdhër vetëm për personat për të cilët mendojmë se ka dyshime të bazuara për vepra penale. Më tej ku do të na çojë hetimi nuk mund ta dimë paraprakisht”,- u shpreh prokurorja, Villma Ruskoska.
 
Prokuroria për Frosina Remenskin ditë më parë kërkoi masa kujdesi, ashtu si edhe për babanë e Bokit 13 dhe për asistenten e parë të kreut të “Lidhjes Ndërkombëtare”.  
 
NAIM RAMADANI