Maqedoni

“Taget-Fortesa”, Verushevski: Gruevski, koka e përgjimeve ilegale

10.10.2019 17:44

Nikolla Gruevski ka qenë truri i gjithë operacionit në përgjimin ilegal të komunikimeve të qindra qytetarëve, me të vetmin qëllim, mbajtjen e pushtetit....

Kjo ka qenë vazhdimi i dëshmisë nga ish kreu i lartë i DSK-së, Zoran Verushevski, para gjykatësit hetues në rastin “Target Fortesa”. Sipas tij, operacioni i përgjimeve është ndihmuar edhe nga dy ish agjentët, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët gjenden në arrati, e që posedojnë dokumentacion shumë më voluminoz prej atij që lideri i LSDM-së, Zaev, e dorëzoi në Prokurorinë Publike Speciale.
 
“Nëse vijnë emigrantët nga Greqia gjithçka do të jetë e qartë. Ata komunikojnë edhe me shtetet tjera e shërbime tjera. Dokumentacionin që e posedon PSP është minore në raport me atë që e posedojnë këta tre persona. Vetëm një Zot e di se çfarë nuk posedojnë tjetër. Posedojnë edhe dokumentacion tjetër që nuk është lëndë e kësaj akuze”,- tha ish drejtori i DSK-së, Zoran Verushevski.
 
I pranishëm në seancë ishte edhe ish kreu tjetër i DSK-së, Sasho Mijallkov, për të cilin Verushevski nuk pati ndonjë pyetje. Pas përfundimit të seancës, Verushevski nuk deshi të komentojë para kamerave, ai shkurt tha se nëse do të ketë nevojë të qartësojë gjëra për opinionin, do të thërrasë konferencë për media. Në seancën e radhës për rastin “Target –fortesa”, në cilësinë e dëshmitarit është thirrur të dëshmojë edhe kryeministri, Zoran Zaev. Epilogu përfundimtar për rastin “Target Fortesa” duhet të tregojë se kush ka dhënë urdhër dhe kush ka përgjuar në mënyrë ilegale mbi 20 mijë qytetarë.
 
ZEKIRJA MEXHITI