Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, VMRO: Deputetja Remenski të dorëhiqet

10.10.2019 17:49

VMRO-DPMNE, zgjerimin e hetimit për rastin “Zhvatja” me deputeten socialdemokrate, Frosina Remenski...

VMRO-DPMNE, zgjerimin e hetimit për rastin “Zhvatja” me deputeten socialdemokrate, Frosina Remenski, pas dyshimeve për keqpërdorime në organizatën e Boki 13, e cilëson si veprim të vonuar. Opozita maqedonase konsideron se Remenskit për gjashtë muaj nga shpërthimi i skandalit iu dha kohë e mjaftueshme që të fshijë gjurmët të cilat shpijnë deri tek shefi i saj, Zoran Zaev.
 
“Remenskit për gjashtë muaj të plota iu dha mundësia që të ndikojë edhe në dëshmitarë, hetimin dhe në të gjitha proceset tjera në shtet, thjesht të shantazhojë me pozicionin që ka. Frosina Remenski duhet të tërhiqet nga funksioni deputet që të mos ndikojë mbi hetimin. Ajo ka funksion të fuqishëm dhe mund të ndikojë nëpërmjet bashkëshortit të saj, i cili disponon me informacione të klasifikuara dhe sekrete shtetërore”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
LSDM: Para ligjeve, të gjithë të barabartë
 
Nga LSDM vlerësojnë se para ligjeve të gjithë janë të njëjtë dhe se askush nuk do të amnistohet.
 
“Dëshmuam se shteti dhe sistemi funksionojnë. Të gjithë jemi të barabartë para ligjeve. Nëse më herët detyra e parë e pushtetit ishte që të mbrojë të gjithë dhe më pas tjetra, tani po dëshmohet se absolutisht të gjithë jemi të barabartë para ligjeve, edhe unë. Nëse unë kam gabuar diçka, i pari të dalë jashtë.”,- tha nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
 
Sipas LSDM-së, amnisti nuk do të ketë as për të akuzuarit e ish regjimit që dolën nga përgjimet. Pa procesuimin edhe të atyre lëndëve nuk ka shkuarje përpara, vlerësojnë socialdemokratët.
 
MERAL ISMAILI