Maqedoni

“Vatra jonë – alternativa jonë”, platformë për parandalimin e shpërnguljes

10.10.2019 18:43

Kryesisë Qendrore e Partisë Alternativa dhe Kuvendi Qendror partiak...

Kryesisë Qendrore e Partisë Alternativa dhe Kuvendi Qendror partiak, kanë miratuar platformën e re politike të titull “Vatra jonë – Alternativa jonë”, e cila i dedikohet parandalimit të shpërnguljes. Siç bëri të ditur kreu i kësaj partie, Afrim Gashi, pas miratimit të platformës së re, Alternativa do të fillojë me promovimin e fushatës ndërgjegjësuese, pasi vlerëson se problemi më i madh i vendit aktualisht është shpërngulja masive e të rinjve.
 
“Alternativa konsideron se në kohën kur procesi i integrimit të vendit ka marrë rrugë të mbarë dhe është një shteg që nuk ka prapakthim, tashmë nuk është vështirë të konstatohet se, përkundër problemeve të pambyllura politike, në kuptim të marrëdhënieve ndëretnike, por edhe korrupsionit të lartë, si edhe mungesës së shtetit ligjor, problemi më i madh i Maqedonisë së Veriut, e rrjedhimisht edhe i shqiptarëve këtu, është shpërngulja masovike e të rinjve dhe zbrazja e vendbanimeve. Duke mos i mbyllur sytë para këtij problemi, Alternativa – si parti e spektrit të djathtë, që angazhohet për ta ruajtur praninë e popullsisë në këto troje – konsideron se parandalimi i shpërnguljes është detyrim i yni historik, etnik, kulturor dhe religjioz”,- deklaroi kryetari i Partisë Alternativa, Afrim Gashi.
 
Gashi tha se kjo fushatë do të realizohet në tri faza. Në fazën e parë do të bëhet aksioni për ndërgjegjësim kundër migrimit, por edhe komunikimi me qytetarët për t’i dëgjuar drejtpërdrejt nga ata arsyet e kësaj dukurie dhe propozimet e tyre për parandalimin e shpërnguljes. Faza e dytë do të përfshijë tribuna, panele dhe debate me ekspertë të fushave të ndryshme, ku do të diskutohen arsyet e migrimit dhe masat për parandalimin e tij. Dhe faza e tretë, pasi të përmblidhen të gjitha të dhënat e dy fazave të mësipërme, Alternativa do t’ia propozojë Qeverisë një “Strategji shtetërore për parandalimin e shpërnguljes së popullsisë”, e cila pasi të miratohet, do të fillojë me implementimin e masave të propozuara. 
 
GAZMEND KURTISHI