Botë

Goditet me thikë ministri indonezian i Sigurisë

10.10.2019 19:44

Ministri i Sigurisë në Indonezi është sulmuar dhe goditur me thikë, nga persona, të cilët policia thotë se janë “frymëzuar” nga një grup i Shtetit Islamik....

Ministri po dilte nga makina, në provincën Banten, në momentin kur u sulmua pabesisht nga personi të cilin e shihni edhe në fotografinë kryesore të lajmit.
 
Ish shefi ushtarak pësoi “dy plagë të thella” në stomakun e tij, por bëhet me dije se është në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
 
Gjithashtu, një oficer policie si dhe dy persona të tjerë u plagosën nga ky sulm, ndërsa dy të dyshuarit, një burrë dhe një grua janë vënë nën pranga.
 
Ministri u dërgua menjëherë me helikopter në spitalin e kryeqytetit, në Xhakartë.
 
“Ai është i vetëdijshëm”, ka thënë për mediat shefi i policisë Banten.
 
“Nga hetimi ynë paraprak, sulmuesit e dyshuar ishin të ekspozuar ndaj radikalizmit, pasi objektivi i tyre është një burokrat publik dhe anëtar i policisë, të cilin ata e panë si armik”, tha Dedi Prasetyo, zëdhënësi i policisë kombëtare indoneziane, për BBC./Top Channel