Maqedoni
Shënohet 11 tetori, manifestime të shumta dhe mesazhe bashkimi
11.10.2019 11:55
Maqedonia e Veriut shënon 11 tetorin, 78-vjetorin e Ditës së Kryengritjes Popullore Kundër Fashizmit, fillimin e luftës vendimtare për liri dhe dinjitet....

Manifestimet kryesore u mbajtën në Kumanovë e Prilep dhe në varrezat e Shkupit në Butel. Në mesazhin e tij video drejtuar qytetarëve, presidenti Pendarovski përkujtoi të kaluarën me porosi për të ardhmen. Përkujtoi përgjegjësinë e të gjithëve në këtë moment, për të ndërtuar një shtet më të mirë për gjeneratat e reja.
“Përmes pajtimit qytetar dhe solidaritetit të arrijmë unitet të brendshëm nëse duam ta realizojmë qëllimin tonë të përbashkët, transformimin e Maqedonisë së Veriut në shtet që ofron prosperitet, anëtare të NATO-s dhe BE-së”,- deklaroi presidenti, Stevo Pendarosvki.
Mesazh urimi e bashkimi ka drejtuar edhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi. “Asnjëherë nuk duhet të harrojmë të jemi në anën e vërtetë, në anën e drejtë. Të luftojmë për jetë dinjitoze, cilësore dhe të barabartë për të gjithë. Bashkë të ecim rrugën e integrimit euroatlantik dhe të ndërtojmë ardhmëri stabile dhe të sigurt për gjeneratat e ardhshme”,- shkruan Xhaferi. Nga Kumanova kryeministri Zaev përkujtoi fillimin e procesit përfundimtar të shënimit të shtetit të Maqedonisë së atëhershme në hartën e botës.
“Në 78 vjetorin e festës shtetërore 11 tetori, Ditën e Kryengritjes Popullore, qëndrojmë me respekt ndaj luftëtarëve dhe luftëtareve të ushtrisë çlirimtare popullore. Para 78 vitesh ata filluan luftën për liri në të cilën dolën fitimtarë. Gjenerata jonë në mënyrën e vet e përsëriti këtë luftë dhe ja ku e kemi sërish lirinë dhe e jetojmë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Duke kaluar në rrugëtimin e saj shumëdekadësh, si pjesë e RSFJ-së, e më pas edhe si shtet i pavarur, RMV tani është anëtare e plotfuqishme e Kombeve të Bashkuara dhe pret pranim zyrtar në NATO dhe datë për fillimin e negociatave me BE-në.
FLUTURA LATIFI
