Maqedoni
KE, pro datës për RMV-në dhe Shqipërinë, Franca kërkon shtyerjen e vendimit
11.10.2019 12:13
Në vigjilje të takimit të ministrave të vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme...

Në vigjilje të takimit të ministrave të vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, të martën që vjen, në Luksemburg, grupet e ndryshme punuese në Bruksel janë duke bërë përpjekje që të arrijnë kompromisin mes shteteve anëtare, pas vendimit të Holandës, e cila kërkon që raportet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të jenë të ndara, ndërsa Franca, ende është në hamendje nëse vendi meriton të marrë datën këtë tetor.
Franca do që të shtyhet i tërë procesi dhe që vendimi eventualisht të miratohet diku në pranverë të vitit që vjen, duke e ngadalësuar edhe më shumë procesin, i cili edhe ashtu është shumë i ngadalshëm. Kështu edhe një herë po dëshmohet se mbështetja e Komisionit Evropian në procesin e zgjerimit, ku vendimet merren njëzëshëm nga të gjitha shtetet anëtare, nuk mjafton.
Edhe të enjten, Komisioni Evropian ka përsëritur se mbetet i prerë në qëndrimin e qartë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, javën që vjen, duhet të marrin dritën e gjelbër për hapjen e negociatave, sepse që të dyja këto shtete i kanë përmbushur kriteret e kërkuara dhe të caktuara nga Këshilli.
