Maqedoni

Miratohet rebalanci i buxhetit, ekzekutivi: Paga më të larta për qytetarët

11.10.2019 11:59

Me 56 vota ‘për’, dje u miratua rebalanci i Buxhetit për vitin 2019...

Të ardhurat totale me ndryshimet në Buxhetin për vitin 2019, janë planifikuar në nivelin prej 210.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale përcaktohen në 228.2 miliardë denarë.
 
Ndryshimet në Buxhetin e vitit 2019, mes tjerash, sigurojnë edhe mjete shtesë në vlerë prej 240 milionë denarë për sistemin gjyqësor, respektivisht për gjykatat dhe prokuroritë, me qëllim të përforcimit të gjendjes financiare dhe zgjidhjes së çështjes lidhur me pagesën e shtesave për punëtorët në këtë sektor. Janë paraparë edhe mjete për kthimin e një pjese të tatimit të vlerës së shtuar kundrejt personave fizikë në vlerë prej 300 milionë denarësh.
 
Qëllimi i rebalancit të Buxhetit për këtë vit është që të bëhen korrigjime në pjesën e harxhimeve, me qëllim të sigurimit të mbështetjes financiare për komunat dhe përforcimin e Fondeve të Sigurimit Shëndetësor, Sigurimit pensional dhe invalidor dhe Agjencisë për Punësim. Sipas mazhorancës, ky rebalanc siguron mbështetje për paga më të larta për punonjësit e sektorit privat, paga më të larta për punonjësit e administratës publike, më shumë fonde për të mbështetur masat aktive të punësimit për qytetarët e papunë dhe më në fund, dhe në më pak se tre muaj, qytetarëve do t’u kthehen paratë e para përmes projektit “TVSH-ja ime”.