Botë
OKB thirrje për ndalje të luftimeve, 11 civilë të vdekur gjatë ofensivës në Siri
11.10.2019 12:33
Turqia po e vazhdon ofensivën e saj ndërkufitare në zonat e mbajtura nga kurdët e veriut të Sirisë....

Të paktën 11 civilë kanë vdekur. Dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur nga shtëpitë në këtë zonë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të enjten se 109 “terroristë” ishin vrarë, duke iu referuar luftëtarëve kurdë të Sirisë. Ushtria e Turqisë konfirmoi ndërkohë vdekjen edhe të një ushtari turk. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e luftimeve në lindje të Sirisë. "Është absolutisht e rëndësishme të qetësohet situata”, u tha Guterres gazetarëve në Kopenhagë.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve kanë bërë të ditura planet për një projektligj për sanksione kundër Turqisë, dhe Presidenti Donald Trump ka ofruar të ndërmjetësojë.
Turqia, nisi të mërkurën operacionin ushtarak në kufirin e saj me Sirinë, për të krijuar një “zonë të sigurt” atje, ku edhe do të dërgonte miliona refugjatë sirianë. Turqia e konsideron milicinë kurde në Siri, si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë. Milicia kurde mohon çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Milicia kurde kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri.
