Botë

Bie qeveria në Rumani, Dancila nuk i mbijetoi mocionit të mosbesimit

11.10.2019 12:46

Qeveria e Rumanisë e përfshirë në skandale të shumta, humbi votëbesimin në parlament, çka çoi drejt kolapsit të saj...

238 deputetë të dhomës së ulët dhe senatorë, pesë më shumë nga sa nevojitej, mbështetën mocionin e paraqitur nga 6 parti opozitare. Tani një qeveri kalimtare pritet të marrë përsipër drejtimin e vendit deri në zgjedhjet e ardhshme të 2020. Ligjvënësit e akuzuan shefen e ekzekutivit, Viorica Dancila, për paaftësi dhe shpërdorim të fondeve të BE-së. 
 
“Përfundoi makthi në të cilin Rumania jetonte tashmë prej tre vjetësh. Parlamenti shkarkoi qeverinë që e ka turpëruar Rumaninë si askush tjetër në 30 vitet e kaluara”,- deklaroi kryetari i Partisë Nacionale, Ludovic Orban.
 
“Mesazhi që dha Parlamenti  ishte konfirmimi se PSD ishte kthyer në një histori të trishtuar të politikës rumune. Tashmë u hapën rrugët për zgjedhje të parakohshme”,- u shpreh Dan Barna nga USHR.
 
“Znj. Dancilla nuk ishte e denjë për postin e kryeministres dhe kryetares së PDS-së. Është një gjë e mirë kjo që ndodhi sot”,- u shpreh kryetari i Pro-Romania, Victor Ponta.
 
Kryeministrja Dancila tha se qeveria ka realizuar shumicën e planprograt të saj dhe u ndje e tradhtuar nga vota kundër ekzekutivit edhe nga partnerët.
 
“Siç e shihni, mocioni i mosbesimit u votua. Të gjitha partitë u bashkuan për të votuar kundër qeverisë, na tradhtuan edhe kolegët e partisë socialdemokrate. Nuk ka problem. Ne po largohemi pasi kemi realizuar detyrat tona, kemi menaxhuar shumicën e objektivave nga programi ynë qeverisës dhe qytetarët e kanë ndjerë këtë”,- tha kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila.
 
Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme nuk janë një opsion për momentin, pasi vendi muajin e ardhshëm përballet me zgjedhjet presidenciale. Sipas ligjit, Rumania nuk mund të mbajë zgjedhje parlamentare përveçse me një diferencë 6 mujore prej atyre presidenciale. Opozita tani ka 10 ditë në dispozicion, për të emëruar një kryeministër të ri, të cilit do t`i nevojitet aprovimi i presidentit, Klaus Iohannis.
 
“Sot fitoi Rumania. Vota ishte rezultat natyror i reagimit shoqëror ndaj abuzimeve dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Do të dëgjoj propozimet e partive e do të propozoj një zgjedhje për ekzekutivin me një mandat të pastër që do të na sigurojë qeveri efikase deri në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se kur do të mbahen”,- u shpreh presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.
 
Rrëzimi i qeverisë pasoi humbjet shokuese të socialdemokrateve në pushtet në zgjedhjet europiane të muajit maj si dhe dënimin me burg të liderit të fuqishëm të saj, Liviu Dragnea, të cilin e fundosën akuzat për korrupsion.
 
MIGENA GORENCA