Botë

Oslo, kryeministri i Etiopisë fitoi Nobelin për Paqe

11.10.2019 13:39

Komiteti i Çmimit Nobel në Oslo shpalli fituesin e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2019...

Fitues është Abiy Ahmed, për kontributin e  jashtëzakonshëm në përfundimin e luftës 20-vjeçare mes Etiopisë dhe Eritresë. Atij çmimi iu dha për përpjekjet e tij për “arritjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”. 
 
Ky çmim ka gjithashtu për qëllim që t’i inkurajojë të gjitha palët e interesuara që të inkuadrohen në arritjen e paqes dhe pajtimit në rajonet e Afrikës Lindore dhe Verilindore. Kur Ahmed u bë kryeministër në prill të vitit 2018, ai e bëri të qartë se dëshironte të rifillonte bisedimet e paqes me shtetin fqinj. Në bashkëpunim të ngushtë me presidentin e Eritreas, Isaias Afverki, ai hartoi parimet e një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë midis dy vendeve.
 
Të nominuar për këtë çmim ishin 301 emra, prej tyre 223 individi dhe 78 organizata. Në janar të këtij viti për  Çmimin Nobel për Paqe janë nominuar edhe kryeministri Zoran Zaev dhe ish-kryeministri grek Aleksis Cipras, për arritjen e ”Marrëveshja e Prespës” mes Greqisë dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë që i dha  fund një mosmarrëveshje të gjatë dhe ndikoi në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
 
Ndër favoritët u përmend paraprakisht edhe kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern për mënyrën e saj të ballafaqimit me tragjedinë në qytetin Christchurch, ku nga sulmi terrorist në një xhami, humbën jetën 49 persona dhe  lideri indigjen Raoni Metuktire, për betejën e tij në favor të pyjeve të Amazonës si dhe aktivitja Greta Thunberg.