Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, Janeva ende bën analiza në spital
11.10.2019 15:24
Ish kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, vazhdon të mbetet në spital pas problemeve shëndetësore të konstatuara një ditë më parë....

Mjekët ende po kryejnë analiza për të vërtetuar gjendjen shëndetësore të ish kryeprokurores, e cila edhe më herë është ankuar nga tensioni i lartë, por ishte kuruar në kushtet e klinikës së burgut. Një ditë më parë u njoftua se ish kryeprokurorja është në gjendje të dyshuar para-infarkt dhe është shtruar për kontrolle të mëtejshme në një klinikë private. Sipas ligjit, shpenzimet për trajtimin e të arrestuarve në klinika private përballohen nga personi i dyshuar ose i akuzuar.
Avokatët e Janevës thonë se sërish do kërkojnë masën e arrestit shtëpiak për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të saj. Por, për këtë fillimisht do të duhet të presin javën e ardhshme kur pritet edhe përgjigja nga Gjykata rreth garancisë së ofruar për lëshimin e Janevës nga paraburgimi në Shutkë, garanci kjo që më herët është refuzuar.
