Maqedoni
Kurti për REL: dialog me Brukselin, pastaj me Beogradin
11.10.2019 16:56
Kreu i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti...

Kreu i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, është i prerë se nëse Serbia nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj, nuk mund të ketë as kompromis e as marrëveshje afatgjate. Në një intervistë dhënë Radio Evropa e Lirë, kryeministri i ardhshëm i Kosovës ka paralajmëruar se dialogut eventual me Beogradin do të duhet t’i paraprijë dialogu i Prishtinës me Brukselin.
“Presim që dialogu të jetë solid, me parime të qarta, të dakorduara me Brukselin. Pra, një dialogun me Brukselin para dialogut me Serbinë, që dialogu të mos dështojë. Pjesë e kësaj është edhe një lloj bilanci në muajin e parë të qeverisjes, për 33 marrëveshjet e nënshkruara gjatë dialogut 6 vjeçar, 2011-2017. Serbia duhet të ndalojë së shikuari shqiptarët përmes dylbive ushtarake e duhet të shohë veten politikisht në pasqyrë. Pa u ballafaquar Serbia me të kaluarën e saj nuk mund të ketë paqe e pajtim”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kurti ka paralajmëruar megjithatë heqjen e tarifave doganore për mallrat serbe dhe zëvendësimin e tyre me parimin e reciprocitetit.
“Jo vetëm që jemi të përgatitur, por jemi të interesuar të ndërrojmë taksën 100% me reciprocitet të plotë me Serbinë, në pajtim me rezolutën e parlamentit të 7 dhjetorit 2011. Serbia nuk mund të sillet mbrapsht keq dhe të presë që ne të mos i mbrojmë interesat tona”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Sa i përket bashkimit me Shqipërinë, Kurti ishte i qartë se ky qëllim historik i shqiptarëve mund të bëhet përmes BE-së e përmes suksesit të Kosovës si shtet.
VLORA LATIFI TOPOJANI
