Maqedoni

Suspendimi i Remenskit nga organet e LSDM-së, Zaev: Të mos ndikojë mbi procesin hetimor

11.10.2019 17:22

Kryeministri, Zoran Zaev, suspendimin e deputetes socialdemokrate, Frosina Remenski...

Kryeministri, Zoran Zaev, suspendimin e deputetes socialdemokrate, Frosina Remenski, nga Komiteti qendror dhe ekzekutiv i partisë, e vlerëson si veprim të arsyeshëm që ajo të mos mund të ndikojë mbi hetimin. Zaev thotë se beson në pafajësinë e saj, por këtë, sipas tij, do të duhet ta dëshmojë gjyqësori që Remenski t’i rikthehet partisë.
 
“Suspendimi i jep mundësinë që të mos shfrytëzojë fuqinë partiake, fuqinë politike gjatë dëshmimit të pafajësisë. Unë besoj në pafajësinë, në prezumimin e pafajësisë, por unë jam unë dhe pafajësia do të duhet që përgjatë procesit gjyqësor të dëshmohet, gjegjësisht dyshimin ndaj saj, prokuroria do të duhet ta dëshmojë, pasi që ashtu është i vendosur sistemi ynë, besoj që edhe Frosina këtë do ta dëshmojë dhe atëherë dyert janë sërish të hapura që të kthehet në organet dhe trupat e LSDM-së”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Përgjimet”, Zaev: Mijallkov, përgjegjës sa edhe Gruevski
 
Zaev komentoi edhe dëshminë e funksionarit partiak, Zoran Verushevski, në gjykatë se për përgjimet nuk është më përgjegjës Sasho Mijallkov, por Nikolla Gruevski. Sipas Zaevit, përgjegjësi do të duhet të mbart secili prej tyre për veprimet e bëra me përgjimet.
 
“Ishte pikërisht koha e Gruevskit, kur ndodhi uzurpimi i të drejtave dhe lirive të njeriut me përgjimin e mbi 20 mijë personave në mbi një milion biseda dhe porosi. Një fakt tjetër është se shef i DSK-së në atë kohë ka qenë Sasho Mijallkov dhe prej nga kjo s’kemi ku shkojmë, gjithsecili me përgjegjësinë e tij, sikurse ish kryeministri që ka menaxhuar procesin, por edhe drejtuesi i DSK-së, i cili e ka mundësuar përgjimin, do të duhet të mbartin përgjegjësi”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Verushevski, një ditë më parë, gjatë dhënies së dëshmisë në gjykatë për lëndën “Fortesa – Target”, si të dyshuar të parë cilësoi ish kryeministrin e arratisur në Hungari, Nikolla Gruevskin, më pas të arratisurit në Greqi, Goran Grujevskin, dhe Nikolla Boshkovskin. Verushevski as që e përmendi ish drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkovin.
 
MERAL ISMAILI