Maqedoni
“Mos u bë plehrë!”: Më shumë kujdes për mbrojtjen e ambientit
11.10.2019 17:50
Organizatat rinore ekologjike, të organizuara përmes rrjeteve sociale e të mbështetura edhe nga qytetarët...

Organizatat rinore ekologjike, të organizuara përmes rrjeteve sociale e të mbështetura edhe nga qytetarët, organizuan aksion për pastrimin e mbeturinave me moton “Mos u bë plehrë”. Të rinjtë dhe qytetarët pastruan parkun e qytetit të Shkupit. Por, aksioni nuk kishte si qëllim vetëm pastrimin e parkut, por edhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e mjedisit jetësor.
Pjesëmarrësit në aksion u apeluan institucioneve të punojnë më seriozisht për mbrojtjen e mjedisit, por përkujtuan se përgjegjësi po kaq të rëndësishme kanë edhe qytetarët, pasi janë pikërisht ata të cilët kontribuojnë në ndotjen e qytetit me derdhjen e mbeturinave kudo ku munden, jashtë vendeve të caktuara.
“Dua t’i ftoj edhe qytetarët e tjerë të bëhen pjesë e iniciativave të tilla, sepse bëhet fjalë për shëndetin tonë. Gjithashtu apeloj deri tek komunat, por edhe tek institucionet përkatëse, që ta marrin më seriozisht punën e mbeturinave, sepse mjedisi jetësor është vend ku ne jetojmë dhe duhet të kujdesemi për të”,- tha Sergej Popov.
“Mendoj që kjo është mirë për të gjithë ne si qytetarë, të jetojmë në një mjedis të pastër. Unë punoj me fëmijë dhe ky është një shembull për ta, se si duhet të kujdesemi për natyrën”,- u shpreh Linka Popovska.
“Është hera e parë që jam pjesë e një aksioni të tillë. Të them të drejtën nuk kam qenë aq e vetëdijshme se sa mbeturina kishte në parkun e qytetit. Tani që e pashë nuk po ndjehem mirë”.
Aksion për pastrimin e mbeturinave kishte edhe në malin e Gazi Babës.
REJHANE BUSHI METAJ
