Maqedoni
Pendarovski në Vjenë: Plotësuam të gjitha parakushtet për datë
11.10.2019 17:54
Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, shfrytëzoi vizitën e tij zyrtare në Vjenë të Austrisë...

Presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski, shfrytëzoi vizitën e tij zyrtare në Vjenë të Austrisë, për të rikujtuar vendet anëtare të BE-së, se Maqedonia e Veriut ka plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve. Data për çeljen e bisedimeve është e merituar dhe qytetarët me të drejtë e presin që vendi të kalojë në një nivel tjetër të integrimit europain, tha mes tjerash Pendarovski.
“Dua t’u rikujtoj miqve tanë evropianë se Maqedonia e Veriut i plotësoi të gjitha parakushtet për fillimin e bisedimeve. Stabiliteti i rajonit është i ndërlidhur drejtpërdrejt me proceset integruese. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe njësoj i rëndësishëm për projektin për Evropë të bashkuar si për vendet themeluese. Konsideroj se mungesa e perspektivës së qartë europiane do të tërheqë ndikime të tjera të rajonin tonë”,- deklaroi presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
Gati për negociata edhe sipas kritereve të Francës
Sa i takon qasjes franceze, Pendarovski konsideron se Parisi kërkon ashpërsimin e kritereve në negociatat paraqasëse, që sukseset në negociata të mos jenë vetëm formale dhe më vonë vendet të shënojnë regres. “Si vend kandidat për 14 vjet rresht, Maqedonia e Veriut ka të gjitha kapacitetet për të zhvilluar negociata të suksesshme edhe sipas parimeve të reja”- tha Pendarovski.
“Aspak nuk bëhet fjalë për veto franceze për bisedimet paraqasëse. Franca, me të drejtë kërkon përmirësimin e metodologjisë në bisedime me të cilën përfitimet dhe përparimi gjatë bisedimeve në 35 kapituj të ndryshëm të jetë i pakthyeshëm. Përkrahim qasjen që të ashpërsohen kriteret sukseset negociuese të jenë thelbësore dhe në emër të vendit tim garantoj se ne s’do kemi problem edhe gjatë mënyrës së tillë inovative të negocimit”,- tha presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
Ndërkaq, presidenti austriak, Van der Belen, ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin pro integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe konsideron se caktimi i datës për fillimin e negociatave nuk duhet të shtyhet. Austria është investitori i huaj kryesor në Maqedoninë e Veriut, me investime kapitale mbi 600 milionë euro.
SHPËTIM NUREDINI
